Një tërheqje e Berishës, hap i vogël për një ndryshim të madh

Analize Shkrime

Nga Bardh Frangu

Zhvillimet në Shqipëri janë tepër shqetësuese për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Për më keq nuk ka asnjë shenjë të vetme që të ngjallë shpresën se mund të dilet nga kjo krizë e thellë politike dhe morale, përkundrazi gjithnjë e më shumë kemi shenja të dukshme se ky shtet po futet nën kthetrat e mafisë, e cila ka kohë që dikton edhe vullnetin e qytetarëve të shprehur nëpërmjet një vote plotësisht të kontrolluar nga pushteti.

Është e dukshme se transicioni në këtë vend vazhdon të zhvillohet në dy binarë paralel; në njërin nëpërmjet përballjes së komunizmit me antikomunizmin dhe në një tjetër nëpërmjet elementit gjeografik, përkatësisht përballjes Veri-Jug. Në kontekst të kësaj më duhet të ritheksoj një pandehmë profetike të një miku nga Tirana, i cili në prag të zgjedhjeve të viti 2013, më pat thënë tekstualisht: “Nëse fitojnë socialistët, demokratët mund të kthehen në pushtet vetëm atëherë kur Kosova do të bashkohet me Shqipërinë”. Kjo gjë po dëshmohet gjithnjë e më shumë. Kjo gjë u dëshmua edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale, ku demokratët fituan vetëm qendrën kryesore të Veriut, përkatësisht Shkodrën.

Kur kësaj i shtojmë faktin se gjuha para së gjithash është çështje politike, shohim se sulmet që i bëhen standardit të gjuhës janë po në këtë vijë të ndarjes territoriale, e cila mund të jetë me pasoja të paparashikueshme për vendin. Një refleksion të tillë ndarjeje paraqet edhe Ballkani i hapur, i cili në thelbin e vetë është një krijesë ortodokse.  Në këtë kontekst provohet të ndërtohet edhe narracioni se Veriu sikur përfaqëson ndryshimet demokratike, ndërsa Jugu sikur përfaqëson një konservim të diktaturës komuniste, të identifikuar me socialistët, të cilët vazhdojnë të kenë shenjë dalluese propagandën si një lloj dhune të ngjashme me atë të diktaturës. Mjafton të analizohet vetëm propaganda e kryebashkiakut të Tiranës dhe të bindeni për këtë.

Sigurisht që konflikti ndërmjet të majtës, të identifikuar si bartës të ish diktaturës dhe të djathtës, të identifikuar si bartës të logjikës antikomuniste, është një konflikt që për gjatë kohë do ta mbajë Shqipërinë të mbërthyer në një konflikt, i cili do të pengojë krijimin e hapësirave për iniciative qytetare, kaq të nevojshme për zhvillimin e demokracisë. Kështu është gati e pamundshme të krijohet klimë e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Total 2 Votes
1

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?