Është arrestuar këtë të martë një prej autorëve të vrasjes së biznesmenit 49-vjeçar Edmond Papës, Albano Velo 30-vjeç, i biri i një efektivi policie në Tiranë.
Në kuadër të operacionit ‘Eagle Eyes’, forcat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip ‘Audi’ të përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas krimit.
Gjithashtu u bë me dije se u sekuestruan edhe 3 aparate celular. Ndër të tjera para hetuesve Albano Velo ka mohuar autorësinë e vrasjes, por 4 ditë pas krimit u largua nga Shqipëria për t’u kthyer nga Franca ku edhe u arrestua pas mbërritjes në Rinas.
Vrasja e Edmond Papës dyshohet e ndodhur për larje të hesapeve të trafikut të drogës, ndërsa u zbulua edhe lidhja e 30-vjeçarit Velo me 27-vjeçarin Aleksandër Sadikaj që mbeti i vrarë nga shpërthimi i tritolit në makinë gjatë muajit qershor.
Mësohet se Albano Velo është kunati (burri i motrës) së 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.
Por si u vra Aleksandër Sadikaj:
Më 11 qershor, 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj,pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, ishte nisur drejt qytetit të tij, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina.
Nga shpërthimi Sadikaj humbi 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia doli që të dilte vetë nga makina e të dërgohej në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.