“Kthetrat e Shqiponjës” – Kaosi pas rënies së komunizmit dhe lufta e përgjakshme
Filmi “Kthetrat e shqiponjës” me regji të Alex Visanit duke filluar nga data 27 tetor do të shfaqet në të gjitha kinematë Cineplexx në Tiranë.
Një film horror/aksion me produksion italo-gjermano-shqiptar, i xhiruar tërësisht në Tiranë, me pjesën më të madhe të pamjeve brenda një bunkeri ndërtuar gjatë regjimit të dikurshëm komunist.
Në kushte ekstreme, me temperatura deri në minus 10 gradë, Alex Visani dhe ekipi i tij arritën të krijonin një film plot aksion dhe skena të frikshme.
Në këtë film është sjellë Tirana e viteve 1997, kaosi i krijuar pas rënies së regjimit komunist i cili shkaktoi një luftë të përgjakshme civile.
Ndër dhjetra tituj konkurrues, “Kthetrat e Shqiponjës” arriti të vlerësohet me çmimin skenografia më e mirë në Demonic Film Fest në Kanada.

Një ndër personazhet kryesorë është Matia, një djalë i varfër i cili ngacmohet dhunshëm nga bashkëmoshatarët e tij dhe duke u përpjekur për ti shpëtuar agresionit të tyre ai strehohet në një bunker të braktisur. Por, në vendin fantazmë, Matia, do të zbulojë një tmerr të panjohur.

Davide, Giulia, Nua dhe Adrian po planifikojnë të ardhmen e tyre, hapjen e një vendi të modës duke përdorur një bunker të vjetër të braktisur. Por, një anëtar i grupit në fakt ka një borxh të vjetër për të shlyer me një rreth kriminelësh të rrezikshëm vendas. Dhe kështu brenda bunkerit grupi i djemve do të shohin ëndrrat e tyre të kthyera në një makth të pafund.

“Kthetrat e shqiponjës”, po qarkullon në disa festivale botëror, ku është vlerësuar si “Filmi më i mirë” nga “Astrophobia Film Festival Canada” dhe “Level Up FilmFest Boston”.

Aktorët që luajnë në këtë film janë Manuela Arcuri, Francesco Rossini, Arnold Damazzeti, Lorenzo Lepori, Matia Çobanaj, Ermir Jonka, Ilirda Bejleri, Joli Emiri, Ismail Shino, Xhino Musollari, Edvin Mustafa, Elidon Alika, Endrit Ahmetaj. E sigurisht, qershia e këtij filmi është padyshim, aktorja e njohur italiane Manuela Arcuri, e cila prej vitesh i kishte munguar ekranit dhe tani të gjithë fansat shqiptarë do të kenë mundësi ta shohin në këtë film i cili padyshim që do të mbërdhejë t’i gjithë pas ekranit.


