Berisha nga Libohova, thirrje të rinjve: Koha t’i dilni zot vendit
Ish-kryeministri Sali Berisha u kë bërë thirrje të rinjve në Gjirokastër dhe gjithë Shqipërinë, që t’i dalin për zot vendit dhe të ngrihen në protesta të fuqishme. Nga Libohova ku zhvilloi një takim me banorët, Berisha tha se angazhimi i gjithsecilit është detyrim.
“Ka një kohë për çdo shqiptar që duhet t’i dalë zot vendit. Ne shohim se si po tretemi, po na ikin të rinjtë, po na ikën e ardhmja. Ndaj po e filloj me të rinjtë. Në këtë betejë, ju bëj thirrje të dilni në krye të përpjekjes, qoftë për një fushatë elektorale model, por qoftë edhe për protestat më të fuqishme.
Ne kemi një detyrim të madh ndaj njëri-tjetrit, ndaj vendit, ndaj trashëgimisë tonë atdhetare, të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe. Energjia e të rinjve, angazhimi i të rinjve është vendimtar në këtë përpjekje.
Ndaj edhe ftoj Forumin Rinor, të rinjtë e Libohovës, Gjirokastrës dhe Shqipërisë, të bëjnë gjithçka për të bërë Shqipërinë kopshtin e ëndrrave të tyre të ardhme. Duhet të shpëtojnë nga ky regjim”, u shpreh Sali Berisha, ish-kryeministri