Sulmet kibernetike, Izraeli ofron ndihmë për Shqipërinë
Izraeli ka ofruar ndihmë për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes kibernetike pasi disa ditë më parë Irani sulmoi vendin tonë, duke bllokuar sistemet TIMS në hyrjet dhe daljet e vendit.
Zëvendësministri i Jashtëm Idan Roll u takua me Ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka në Berlin, ku ai ofroi të ndajmë njohuritë dhe përvojën në mbrojtjen kibernetike. Ai shprehu vlerësimin e Izraelit për vendimin e dëbimit të diplomatëve iranianë, shkruan ‘Times Of Israel’.
“Kam folur me ministren e jashtëm shqiptare Xhacka Olta në Shaping. Unë shpreha vlerësimin e Izraelit për vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike me Iranin dhe ofrova të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë në mbrojtjen kibernetike. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet nesh”, tha Roll në Twitter.
Javën e kaluar, Shqipëria fajësoi Iranin për një sulm kibernetik të 15 korrikut që mbylli përkohësisht shumë shërbime dhe faqe interneti dixhitale të qeverisë shqiptare. Gjatë fundjavës, Ministria e Brendshme e Shqipërisë akuzoi Teheranin për një sulm që synonte sistemet kompjuterike të policisë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama tha se një hetim përcaktoi se sulmi kibernetik i korrikut nuk ishte kryer nga individë apo grupe të pavarura, duke e quajtur atë një “agresion shtetëror”.
Nga ora 20:00 e datës 9 shtator sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar u godit nga një sulm kibernetik. Në fillim u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”. Menjëherë kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Kreu i ekzekutivit u shpreh se po punohej me aleatët që sistemet të mbetën të pa penetrueshme nga sulmet dhe një ditë më pas sqaroi opinionin publik se asnjë e dhënë nuk është prekur nga sulmi. Por, hakerat tashmë po shesin të dhënat e TIMS.

