“Hajdeni se e vrau”, Policia arreston fierakun me thikë në dorë
Një 54-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit mbrëmjen e djeshme, pasi ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij. Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale M. B., 54 vjeç, banues në Radostinë Fasko, i cili u kap me thikë në dorë.
Kanë qenë fqinjët të cilët kanë telefonuar Policinë, ndërsa kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka parandaluar krimin në familje.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, mbrëmjen e djeshme, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Radostinë Fasko, konflikti midis shtetasit M. B. dhe bashkëshortes së tij kishte agravuar, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme, kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën e bashkëshortes së shtetasit të arrestuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, profesionale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit M. B., 54 vjeç, banues në Radostinë Fasko, Fier. 54-vjeçari u kap me mjet prerës (thikë) në dorë, duke kanosur për jetën, bashkëshorten e tij.
