Aktualitet

Tre dekada e Muhamet Rrumbullakut në Policinë e Shtetit

Muhamet Rrumbullaku, ish-kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nga sot do të jetë drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmin e ka dhënë vetë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, në prezantim të vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Kreu i ri i organizatës së Policisë së Shtetit ka një karrierë 30 vjeçare në radhët e uniformave blu, shkruan newsbomb.al. Për disa vite Muhamet Rrumbullaku ka mbajtur postin e Zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike, gjatë viteve të qeverisë Berisha 2009-2013.

Më parë ai ka drejtuar Policinë e Tiranës dhe disa qarqe të tjera të vendit. Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017, Muhamet Rrumbullaku u emërua për disa muaj këshilltar i Ministrit të Brendshëm (të përkohshëm) Dritan Demiraj.

“Zoti Rrumbullaku është një oficer karriere i Policisë së Shtetit, që ka mbajtur dhe kryer shumë detyra në gjithë Piramidën e Policisë së Shtetit. I vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë, edhe si drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, njoftoi sot ministri Çuçi, teksa dha lajmin e emërimit të tij në krye të Policisë së Shtetit.

Muhamet Rrumbullaku një ndër periudhat më të mira të shkëlqimit të tij në Policinë e Shtetit e kishte pikërisht në drejtimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që më vonë u transformua dhe mori emrin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ky institucion që monitoron punën e Policisë dhe evidenton kur ka shkelje nga efektivët dhe gardistët, është vlerësuar gjatë tre viteve të drejtimit nga Rrumbullaku si ish-SHÇBA dhe prej 10 mujash si Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, shkruan newsbomb.al.

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit ka kaluar me sukses dhe vettingun në radhët e kësaj organizate. Në dy kritere, atë të pasurisë dhe përgatitjes profesionale ai rezultoi i pastër dhe kjo ka bërë që ai të kalojë me sukses procesin e verifikimit të figurës. Muhamet Rrumbullaku është akuzuar nga opozita socialiste vite më parë si pjesë e “grupit çiftelia”.

Fotot e publikuara gjerësisht në media në vitin 2013, pas denoncimeve të bëra asokohe nga deputeti socialist Saimir Tahiri, tregojnë Rrumbullakun së bashku me kolegët e tij Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj e Nikol Bala në një drekë bashkë me Arben Frrokun, ky i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Gjatë procesit të vettingut, kreu i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (koha kur u fut në vetting) tha se fotot ishin bërë në vitin 2011 dhe ato i ka postuar në Facebook më 24 prill të atij viti. Takimi, ka thënë ai, ka qenë rastësor pas shërbimit me kolegët e tij, shkruan newsbomb.al.

Vëllai i deputetit Mark Frroku, Arben Frroku thuhet se i është bashkuar tavolinës më vonë atë ditë, ndërkohë që vrasja e komisar Lamajt ka ndodhur më 25 shkurt 2013.

Komisioni i vlerësimit ka hetuar çështjen në fjalë duke marrë të dhëna nga prokuroria dhe policia, të dhëna të cilat kanë nxjerrë përfundimin se pretendimet e Rrumbullakut qëndrojnë, pra se “takimi ka qenë rastësor” dhe se deri më sot “nuk ka asnjë dokument tjetër që vërteton të kundërtën” se “Rrumbullaku ka pasur njohje dhe kontakte me Frrokun”./newsbomb.al/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

PANELE DIELLORE-Solares Albania