“Tirana Photo Festival”, tema e këtij viti përkon me Tiranën si kryeqyteti Europian i Rinisë

Aktualitet

SHKRUAR NGA JULIA VRAP

“Tirana Photo Festival”, festivali më i madh fotografik në vend dhe ndër festivalet më masive të artit pamor kthehet si çdo vit për edicionin e tij të pestë. Festivali i kushtohet fotografisë, artistëve shqiptarë, promovimit të Shqipërisë si edhe edukimit të të rinjve, pikërisht me artin e bukur të fotografisë. Në materialin rreth “Tirana Photo Festival 2022” thuhet se festivali këtë vit vjen plot risi, por duke ruajtur traditën dhe fizionominë tij të krijuar në këto katër vite të suksesshme. Do të ketë një ekspozitë të mirëkuruar me 100 fotografitë më të mira në Galerinë e Artit Tiranë, ekspozitë e cila do të jetë e hapur për dy javë. Për festivalin sqarohet se në ceremoninë e hapjes do të shpallen edhe fituesit e konkurseve dhe si përherë në traditën e TFF do të organizohen takime, punëtori, forume, foto-tour dhe vizita të organizuara nën kujdesin e stafit dhe bashkëpunëtorëve. Tema e këtij viti thuhet në materialin për festivalin, përkon me Tiranën si kryeqyteti Europian i Rinisë, por kërkon të fokusohet në ndaljen e emigrimit të të rinjve. “Ne besojmë verbërisht se të rinjtë janë ata që duhet të qëndrojnë e ta ndërtojnë këtë vend, vendin tonë. Në këtë prizëm, thirrja jonë është që të kthejmë sytë nga rinia. Për këtë, ju ftojmë të sillni përmes një fotografie ëndrrat, frikërat, lirinë, argëtimin, sjelljet e të rinjve. Mund ta bëni këtë duke përdorur të gjitha zhanret e fotografisë, portretin, peisazhin urban, fotografinë e rrugës, etj. Na tregoni rininë shqiptare në çdo perspektivë të syrit tuaj”, thuhet në materialin rreth festivalit.

Zhvillimi i festivalit

Festivali më i madh i fotografisë në Shqipëri do të zhvillohet 9-23 shtator. Në GAT në 9 shtator që është hapja e festivalit është dhe ceremonia e ndarjes se çmimeve, si dhe hapja e ekspozitave fotografike. Afati i aplikimeve për në festival është deri më 15 gusht. Çmimi i parë 50 000 lekë; çmimi i dytë 30 000 lekë dhe çmimi i tretë 20 000 lekë. Pjesëmarrja në “Tirana Photo Festival” kërkon një kontribut modest prej 500 lekë. Krahas përfitimit të pjesëmarrjes në këtë event të rëndësishëm të artit pamor, ekspozitës dhe eventeve të dedikuara, pjesëmarrja në TFF garanton pjesëmarrjen në punëtoritë apo ëorkshop-et e dedikuara vetëm për aplikantët e festivalit. “Në fund të ekspozitës, mund të tërheqësh fotografinë tënde të printuar dhe kornizuar në madhësi të paktën 50×50 cm si edhe natyrisht botimin e festivalit”, shpjegohet në materialin e festivalit. Në punëtori gjatë “Tirana Foto Festival 2022” janë Armand Habazaj Photography- Shaping the Light; Bevis Fusha -Photography & Philosophy dhe Albert Çmeta -Fotosafari “Tirana Through Lens”, etj. Një konkurs dedikuar videove të shkurtra me temë “Green Albania” dhe një tjetër konkurs për fotografinë e projekteve me temë “Framing Albania” shoqërojnë “Tirana Foto Festival” këtë vit. Për organizimin dhe menaxhimin e “Tirana Foto Festival”, DMO Albania ka ndërtuar një staf profesionistësh me eksperiencë në menaxhimin e artit dhe eventeve. Pjesëmarrja në “Tirana Foto Festival” sipas organizatorëve është një mundësi e mirë pra për gjithë ata që e duan fotografinë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?