Inxhinierët e Ndërtimit kundër nismës ligjore për krijimin e Urdhërit të Inxhinierëve

Aktualitet

Një projektligj i propozuar me firmën e deputetes së Partisë Socialiste Luljeta Bozo ka provokuar akuzat e një grupi inxhinierësh, që paralajmërojnë monopolizimin e tregut të ndërtimeve nga oligarkët nëpërmjet kontrollit të profesionistëve.

Bëhet fjalë për një nismë të mbështetur edhe nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku dhe që parashikon ngritjen e Urdhrit Profesional të Inxhinierëve. (Projektligji i plotë)

Kjo strukturë (Urdhri Profesional i Inxhinierëve) sipas projektligjit detyron inxhinierët të bëhen pjesë e një regjistri, përndryshe firma e atyre që mbeten jashtë do të rezultojë e pavlefshme brenda një viti, nga hyrja në fuqi e ligjit.

“Për të ushtruar profesionin e inxhinierit, duhet të kryhet regjistrimi në Regjistrin e inxhinierëve profesioniste. Vetëm inxhinierët që janë të regjistruar në Regjistër kanë të drejtë të firmosin si inxhinierë. Në rastin kur inxhinieri i paregjistruar firmos, firma e tij është e pavlefshme” thuhet në projektligjin që është propozuar nga Luljeta Bozo dhe për të cilin, ajo thotë se nisi punën që në vitin 2017.

Mënyra e punës së inxhinierëve ndryshon rrënjësisht me krijimin e regjistrit dhe ngritjen e Urdhrit, që më pas do të përcaktojë se kush mund të punojë e kush jo, mosat ndëshkuese për inxhinierët, kontrollin e punës së tyre, etj. Në relacionin shpjegues që shoqëron projekligjin, deputetja Luljeta Bozo shkruan:

“Komuniteti i inxhiniereve me vullnetin e tij te lire, pa asnje lloj ndikimi, perfshi edhe ate te grupimeve ekonomiko-financiare, e sigurisht edhe ate politik, ka atributet ligjore jo vetem per te marre persiper pergjegjesite e tij por edhe te mbroje interesat e secilit inxhinier ne veçanti” (RELACIONI)

Por në një letër drejtuar parlamentit, një grup inxhinierësh të përfaqësuar nga Deshira Mena hedhin akuza të forta, sipas të cilave tentohet monopolizimi i tregut të ndërtimeve. Kapja e profesionistëve do të shërbejë në të vërtetë për kapjen e tregut, shkruajnë inxhinierët.

“Qëllimi i këtij Projekt Ligji është vetëm monopolizimi i licensimit të profesionistëve, për pasojë edhe i tregut të ndërtimit në përgjithësi, pasi që këtu fillon menaxhimi i këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë në vendin tone” shkruan Mena.

Mena përmend një seri problemesh me të cilat përballen inxhinierët sot, si për shembull puna me manualin e çmimeve të vitit 2015, kur çmimet kanë ndryshuar në mënyrë drastike.

“Asnjë justifikim tekniko-ligjor nuk keni për këtë iniciativë, përvec atij të monopolizimit dhe krijimit të një biznesi dhe kapjen e këtij sektori të ekonomisë nga oligarkët e rradhës” shkruan Meni në letër.

Efekte të tjera sipas saj do të jenë edhe fenomene të tjera si abuzimi me rryshfete, monopolizimi i licencave, dhënia me qera e liçensave pazaret për çertifikimin, përjashtimet nga e drejta e zhvillimit të profesionit, nga tenderat, presionet mbi profesionistët, dhe minimalisht heqjen e mundësisë për inxhinierët e rinj.

Gjatë vitit 2021, janë miratuar gjithsej 1.396 leje ndërtimi për ndërtesa të reja vetëm në Tiranë, duke shënuar një rritje prej 45,3% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja ishte 2 milion e 316 mijë metër katror.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 99,2 miliardë lekë në vitin 2021./Lapsi.al

Letra e plote drejtuar Kuvendit nga inxhinieret

Tiranë, më 03.05.2022

Drejtuar: Kuvendit të Shqipërise

Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

  • Lindita Nikolla
  • Kryetare e Kuvendit
    • Klotilda Bushka
  • (Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike

dhe të Drejtat e Njeriut, PS)

  • Arben Pëllumbi
  • (Kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe

Mjedisin, PS)

 

Peticion Lidhur me Draft Ligjin “Për Urdhërin Profesional të Inxhinierëve” të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të SHqipërisë me dt 01.04.2022.

https://www.parlament.al/ProjektLigje/ProjektLigjeDetails/55722

 

Të Nderuar!

Nisur nga publikimi i Draft Projekt Ligjit “Për Urdhërin Profesional të Inxhinierëve” të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, na lejoni të shprehim komentet tona si grup interesi dhe të përfshirë në këtë sektor me aktivitetin tonë profesional.

Ne jemi një grup inxhinierësh prefesionistë që ushtrojmë profesionin e inxhinierit secili në fushat përkatëse sipas eksperiencave profesionale në sektorë të ndryshëm të inxhinierisë.

Të dhënat e këtij grupimi i gjeni në materialin e firmosur nga secili inxhinier bashkangjitur këtij dokumenti listë e cila do të përditësohet në vazhdim për shkak të angazhimit profesional dhe shpërndarjes së gjërë të akyivitetit të secilit prej nesh.

Fillimisht kërkojmë të vëmë në dijeni (për të painformuarit) se aktualisht aktiviteti i profesionistëve tanë në vend po funksionon:

  • Bazuar në Ligjin Nr 10 171 datë 22.10.2009, Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë,
  • Vendimin Nr.354, dt.11/05/2016 , “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projekte, mbikqyrje dhe kolaudim”,
  • Vendimin Nr. 943, datë 28.12.2016 për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.759, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për licencimin profesional të individëve dhe personave juridikë që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim” dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 52, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave eshte miratuar Rregullorja e cila përcakton dhe shtrin fushën e veprimit në:
  1. Organizimin dhe funksionimin e strukturave, që kryejnë dhe mbështesin procesin e licencimit profesional të subjekteve, në fushën e studimit e projektimit në ndërtim dhe mbikqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim.
  2. Kategoritë e punimeve të studimit e projektimit dhe mbikëqyrjes e kolaudimit, kushtet dhe kriteret paraprake, dokumentare dhe specifike, që duhen plotësuar për t’u pajisur me licencë profesionale.
  3. Të drejtat që kanë subjektet për t’u pajisur me licencë në fushën e studimit e projektimit dhe mbikëqyrjes e kolaudimit.
  4. Detyrimet dhe kufizimet që kanë subjektet, si dhe masat administrative, për rastet e veprimeve në kundërshtim me dispozitat në fuqi, gjatë ushtrimit të aktivitetit.

Kështu, ky projekt ligji në thelb është antikushtetues, pasi bie ndesh me parimet themelore të ligjshmërisë parashikuar nga Neni 4 i Kushtetutes, ku shprehimisht thuhet:

E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.

Sa më sipër nisma e një Projekt ligji për urdhrin profesional të inxhinjeri (në vijim UPI), përbën një lapsus, pasi një ligj i tillë për inxhinjerët ekziston që prej vitit 2009. Ai quhet  LIGJ PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË Nr.10 171, datë 22.10.2009 dhe në Nenin 5/1- “ç” dhe “f” të tij shprehimisht thuhet:

Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë profesioni …… arkitektit;  inxhinierit;… .

Në këto kushte, UPI-së, i duhen vetëm aktet nënligjore, kodi etikës dhe Rregullorja e ushtrimit të veprimtarisë, ashtu siç parashikohet në Nenin 19 të këtij Ligji.

Gjithashtu, sa sipër është në shkelje të ndalimeve të vendosura nga Neni 4/1 i Ligjit Nr.9121, datë 28.7.2003 PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS, ku shprehimisht thuhet:

Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transanksione të njëjta me palë të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.

Në këtë kuader pas leximit me kujdes dhe me përgjegjësi të Projekt Ligjit të publikuar ju lutem na lejoni të shprehim pikat për diskutim të cilat duhet të konsiderohen deri në detaje në mënyrë që të mos aprovohet në Kuvend ky Projekt Ligj.

  1. Së pari shprehim pakënaqësinë tonë për ndërmarrjen e një iniciative të tillë nga ana e një individi qoftë ai edhe Deputet duke qenë se kjo është një temë shumë e rëndësishme dhe mendojmë që duhet të jetë tërësisht e pavarur nga Institucionet Shtetërore dhe aq më pak e pavarur politikisht. Kuvendi i Shqipërisë  në vecanti duhet të prezantojnë vullnetin e të gjithë komunitetit dhe jo të mbështesin iniciativa spontane të një grupi të caktuar për interesa që nuk përfaqësojnë të gjithë komunitetin përkatës. E themi këtë pasi është e vërtetë që ky Projekt Ligj është preznatuar fillimisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës me datë 15.02.2022 dhe ne si grup interesi kemi bërë komentet dhe sugjerimet tona bazuar në argumenta të pakundërshtueshëm për të mos e lejuar të zhvillohet kjo iniciativë. Për këtë po ju vëmë në dispozicion edhe materialet që kemi dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Enrgjisë në të cilat do të gjeni argumentimet teknike dhe opinionet tona si profesionistë të prekur direkt nga kjo inciativë. Duke qenë se tashmë Ministria me sa duket ka reflektuar nisur nga ankesat e shumta që ka marrë nga të githë profesionistët intelektualë të fushës së inxhinierisë, atëherë Zonja Deputete ka marrë iniciativën personale për ta paraqitur para jush këtë Projekt Ligj me modifikimet përkatëse të cilat i ka parë të arsyeshme ajo dhe grupi i saj mbështetës.
  2. Kështu, Projekt-Ligji i propozuar së pari është një iniciativë e cila ka të prezantuar vetëm emrin e Deputetes Luljeta Bozo në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Shoqatës së Gjeoteknikëvë Shqiptarë bazuar në një marëveshje të bërë midis 11 shoqatave, që në fakt nuk tregon aspak përfshirjen e tërë komunitetit aktiv të inxhinierëve që veprojnë sot në tregun tonë. Në këtë kuadër lista e profesionistëve që po ju dërgojmë bashkangjitur nuk është aspak çudi që të përfaqësojë një numër më të madh intelektualësh edhe se 11 Shoqatat e prezantuara në këtë relacion që në fund të fundit janë vetëm një numër dhe jo listë e plotë profesionistësh që të mund të përfaqësojë vullnetin e shumicës së interesuar në këtë proces. Ai është një citim i mangët dhe thjesht për të tërhequr vëmendjen tuaj, pasi nuk listohen cilat janë keto shoqata dhe cfarë katetegorie të profesistëve përfaqësojnë, pra cilat fushat të inxhinierisë dhe sa është numri i anëtarëve të tyre. Në këtë kuadër ne kërkojmë që si grup i identifikuar me listën emërore bashkangjitur me autorizimin e përfaqësisë së tyre nga Ing Deshira Mena, të konsiderohemi dhe të marrim pjesë në procesin e diskutimit me grupet e interesit si të barabartë me të gjithë anetarët e përfshirë në këtë proces.  Nje grup i përbërë nga disa inxhinierë do të zgjidhet nga ky grupim për të preznatuar qëndrimin tonë tekniko-profesional lidhur me Projektligjin për Urdhërin Profesional të Inxhinierit.

Gjithashtu Hartuesit e këtij materiali “Projekt Ligj – Për Urdhërin Profesional Të Inxhinjerëve”, duhet të deklarohen se cilët janë, në mënyrë që ne të vleresojmë nivelin etiko-profesional, experiencën profesionale, shkallën/gradën e kualifikimit shkencor ose kualifikim tjetër, integritetin e profilit professional, me qëllim leximin dhe gjykimin me të drejtë mbi qëllimin në tërësinë e permbajtjes së materialit që autorët e këtij ligji kanë konceptuar dhe/ose për ndërtimin ndërmjet nesh “të një bashkebisedimi shpjegues, argumentues, apo oponent me gjuhë professionale me to”. Në këtë mënyrë, kushdo qofshin vendim-marrësit për aprovimin ose jo të këtij ligji (profesionist ose jo në fushën inxhinjerike), të kuptojnë më mirë se përse ne inxhinjerët  që po paraqesim këtë peticion, e kundërshtojmë me forcë këtë projekt ligj.

 

  1. Publikimi i këtij Projekt Ligji ne faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë ndryshon shumë si nga permbajtja dhe nga sasia me Projekt Ligjin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjitikës, që do të thotë se aktualisht po diskutohet mbi një Projekt Ligj që nuk ka marrë asnjë konfirmim as nga Ministria e Energjisë dhe Infratrukturës që e prezantoi vetë fillimisht, dhe jo më nga grupet e interesit pasi nuk është diskutuar me to në asnjë moment. Sic është paraqitur ai është një iniciativë individuale e deputetes me mbështetjen e 11 shoqatave (Sa është numri i individëve të këtyre shoqatave dhe a përfaqësojnë ato të gjithë inxhinierët profesionistë pasi një numër i konsiderueshëm i tyre sipas listës emërore bashkangjitur, është shprehur kundër këtij Projekt Ligji ) gjë e cila e vlerësuar në ndikimin e gjërë të shtrirjes që ka ky ligj mbi jetën e profesionistëve në Republikën e Shqipërisë nuk justifikon të merret në konsideratë pa kaluar në një diskutim të gjërë më publikun e interesuar, me profesionistët e vërtetë. Pra duhet zbardhur me një votim gjithpërfshirës nëse realisht shumica e profesionistëve janë dakort apo jo, dhe nuk mund të spekullohet dhe luhet me jetën e tyre në mënyrë të fshehtë nën petkun e “Ligjit që miratohet në Kuvend”. Nuk është Kuvendi që vulos fatin dhe jetën e Profesionistëve të këtij por janë vetë profesionistët që do të dakortësohen për t’u përfshirë ose jo në një Urdher të tillë dhe për më tepër janë po ato që do të aprovojnë të gjithë përmbajtjen e këtij Projekt Ligji. Vetëm me votim të hapur dhe publik mund të justifikohen iniciativa të tilla kaq thelbesore për jetën e profesionistëve në Republikën e Shqipërisë, në të kundërt ky nuk është Parlamenti i Popullit por i punëve të pandershme të deputetëve tanë, dhe nuk përfaqëson realisht vullnetin e popullit tonë.

Më poshtë komentet tona lidhur me pika të vecanta të këtij Projekt Ligji.

Sic e kam përmendur më sipër ky Ligj është në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr 10 171, edhe pse shpjegimi i Zonjës deputete është  “Nevoja e propozimit të këtij Projektligji vjen si pasojë direkte e boshllëkut ligjor krijuar që prej miratirnit të ligjit nr. 10171 “Për profesionet e rregulluara në RSH”.

Në Nenin 4 të këtij Projekt Ligji jepen përkufizime të ngjashme me ato të dhëna në Nenin 4 të Ligjit Nr 10 171, dhe ka mbivendosje të tyre. Megjithatë ka edhe raste kur ka deformime të ketyre koncepteve si:

 

  1. Neni 4, pikën j), të Projekt Ligjit të UPI-t të propozuar thuhet se :
  2. j) «Provimi i Shtetit» : është kontrolli vetëm për njohuritë profesionale të praktikantit, që organizohet në përputhje me Rregulloren e UPI-t dhe legjislacionin në fuqi. Ky provim kryhet sipas përcaktimeve të parashikuara në Rregulloren e UPI-t dhe legjislacionin në fuqi, dhe vlerëson njohuritë dhe aftësitë e Praktikantit për ushtrimin e një profesioni të rregulluar.

 

Vëmë në dijeni se kjo bie ndesh me Ligjin Nr 10 171, Neni 4 pika e) në të cilin thuhet:

 

  1. e) “Provim i shtetit” është kontrolli vetëm për njohuritë profesionale të kandidatit, që organizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky provim kryhet sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë ligj dhe vlerëson njohuritë dhe aftësitë e kandidatit për ushtrimin e një profesioni të rregulluar.

Pra ky përkufizim është modifikuar duke shtuar paragrafin “në përputhje me rregulloren e UPI-t,”.

Në këto kushte “Provimi i shtetit” do të bazohet në Nenin 4 pika j) të Projekt Ligjit të Urdherit të Inxhinmierit apo në Ligjin Nr 10 171, Neni 4 pika e) ?

 

Por kjo nuk është e vetmja përplasje midis këtyre dy ligjeve, se në Nenin 13 të Projekt Ligjit për UPI-n thuhet se Këshilli Drejtues i UPI-t ka kompetencë:

  • Hartimin e kurrikulave të Provimit të Shtetit në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale, me ligjin në fuqi për “Profesionet e Rregulluara” si edhe me programin e studimit universitar përkatës;

Fillimisht Këshilli Drejtues i UPI-t nuk mund të ketë kapacitete të mjaftueshme për të bërë kurrikullat e të gjithë profesioneve inxhinierike që operojnë sot në tregun tonë, sado që të jetë numri i anëtarëve të këtij keshilli.

 

Ndërkohë në Ligjin Nr 10 171, Neni 10/1

  1. Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.
  2. Me urdhër të ministrit që mbulon fushën e arsimit dhe të autoritetit kompetent përkatës ngrihet Komisioni i Provimit të Shtetit, me këtë përbërje:
  3. a) një përfaqësues i caktuar nga ministri që mbulon fushën e arsimit;
  4. b) një përfaqësues i autoritetit kompetent;
  5. c) një përfaqësues, anëtar i UP-së përkatëse;

ç) dy përfaqësues nga personeli akademik i universiteteve, të akredituara për programin përkatës të studimit të profesionit të rregulluar, të cilët kanë titullin shkencor “Profesor” dhe kanë, të paktën, 10 vjet përvojë pune në institucionet e arsimit të lartë.

 

Pra Provimi i shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Autoritetin kompetent përkatës, pra nuk e përmend UPI-n si bashkëpunëtore në mënyrë specifike, dhe për më tepër në Komisionin e Provimit të shtetit UPI-t i është caktuar 1 anëtarë nga 5 që ka komisioni, pra UPI mbulon 1/5 e këtij shërbimi sipas Ligjit Nr 10 171 Neni 10/1.

Nuk e lejon Kushtetuta të bëhen ligje mbi ligje për të njëjtin qëllim dhe më pas të lexojmë faqen që na intereson sipas rastit dhe interesit të momentit.

  1. Neni 5/1 i këtij Projekt Ligji thotë:

1- UPI është ent publik kombëtar, jo fitimprures, i pavarur, i cili përfaqëson interesat e përbashketa të personave që ushtrojnë Profesionin e Rregulluar të Inxhinierëve dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre në funksion të publikut.

 

Në Nenin 7 thuhet gjithashtu se :

 

UPI ka autonomi të plotë financiare, funksionale, administrative dhe është i pavarur në vlerësimin dhe gjykimin e veprimtarisë së çdo anëtari të UPI, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

Kjo autonomi financiare bazuar në këtë Projekt Ligj do të sigurohet :

Sipas Nenit 13 Këshilli Drejtues i UPI-t, ka kompetencë:

  • Përcaktimin kuotës së anëtarësisë;
  • Dhënien e opinioneve teknike dhe ekspertizës për Institucionet Shtetërore dhe palëve të tjera të interesuara;
  • Aplikimin dhe pjesëmarrjen në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare;

 

Po ashtu në nenin 15 të Projekt Ligjit të UPI-t thuhet;

Burimet e financimit janë:

  • Kuotizacioni i anëtarëve;
  • Donacione të ndryshme, dhe të ardhura të tjera të deklaruara dhe të ligjshme, të cilat nuk përbëjnë konflikt interesi;
  • Financime nga projektet në të cilat UPI merr pjesë.

 

Pra po të llogarisësh burimet e të ardhurave të UPI-t, kuptohet qartë që bie ndesh me Neni 5/1 i këtij Projekt Ligji, pasi në të vërtëtë UPI ka një aktivitet financiar me të ardhura të garantuara nga kuotat e anëtarëve të saj, të cilët janë plotësisht të përcaktuar, pasi dihet numri i profesionistëve që ushtrojnë ose do të ushtrojnë profesionn e tyre në Republikën e Shqipërisë.

Jo vetëm kaq por edhe burimet alternative si donacionet e ndryshme mund të konsiderohen të ardhura ekonomike që ndihmojnë buxhetin e UPI-t.

Dhe si të mos mjaftojnë këto, UPI do të ushtrojë aktivitet profesional dhe ekonomik në tregun e lirë duke marrë pjesë vetë direkt si institucion në projekte të ndryshme. Kjo do të thotë që UPI do të konkurojë në treg me anëtarët e saj profesionistët që e paguajnë UPI-n me kuotat e tyre.

Pra këto dy nene të këtij Projekt Ligji bien në kundërshtim me njëra-tjetrën por edhe me qëllimin e aktivitetit te UPI-t duke pasur konflik interesi midis UPI-t dhe anëtarëve të tij.

 

  1. Neni 19/1 i këtij Projekt Ligji thotë:

 

1.Masat disiplinore të shkeljeve të detyrimeve të parashkuara në këtë ligj janë:

  1. a) paralajmerim, që konsiston në një vërejtje të shkruar dhe që i kornunikohet të interesuarit;
  2. b) monitorim, që ka të bëjë me një komunikim me shkrim të dërguar ekskluzivisht te i interesuari, duke përcaktuar shkeljet e kryera dhe dëmin që ka shkaktuar;
  3. c) pezullim, që konsiston në ndalimin e ushtrimit të profesionit për një periudhe jo më shurmë se dy vjet;
  4. d) përjashtim, që konsiston në përjashtimin dhe fshirjen nga Regjistri i UPI-t.

 

Siç mund të kuptohet një profesionist është gjithmonë i kontrolluar dhe monitoruar nga UPI për ushtrimin e profesionit të tij bazuar në etikën profesionale, dhe në momentin që UPI konstaton se një profesionist nuk po kryen aktivitetin e tij profesional në përputhje me rregulloren e UPI-t mund të bëjë edhe përjashtimin e tij nga rregjistri, përjashtim i cili do të thotë heqjen e të drejtës se ushtrimit të profesionit, pra që do të thotë ti japësh një dënim të rëndë jo vetëm një profesionisti por një kryetari familje, një individi që jeton me profesionin e tij.

  1. Në nenin 21 në Projekt Ligjin e UPI-t thuhet se:

 

Për të ushtruar profesionin e inxhinierit, duhet të kryhet rregjistrimi në Regjistrin e inxhinierëve profesioniste. Vetëm inxhinierët që janë të regjistruar në Regjistër kanë të drejtë të firmosin si inxhinierë. Në rastin kur inxhinieri i paregjistruar firmos, firma e tij është e pavlefshme.

Regjistri është i vetmi burim referimi për të tretët që kerkojnë shërbime inxhinierike ose ekspertiza dhe detyrat e tjera të lidhura me objektin e profesionit të inxhinierit.

 

Duke qenë se UPI merr pjesë vetë në projekte të ndryshme a nuk ka konflik interesi në këtë rast, pasi mund të përdoret kjo kompetecë e UPI-t për të nxjerrë nga tregu profesionistët që i konsideron si konkurues ?

Mos harrojmë dhe faktin që në përbërjen e Këshillit Disiplinor apo edhe të Kryesisë së UPI-t kemi profesionistë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional në të njëjtën fushë më anëtarët e tij, pra praktikisht janë konkurentë në treg me cdo profesionist anëtarë i UPI-t.

 

Kontrolli dhe pushteti i UPI-t mbi jetën profesionale të inxhinierit nuk mbaron këtu, pasi duhet lexuar me kujdes neni 26 në të cilin thuhet se :

 

Profesionistët për mos plotësimin e krediteve brenda afatit të përcaktuar në Rregullore i nënshtrohen testit të kontrollit të njohurive të përditësuara, organizuar nga Këshilli Drejtues i UPI-t.

Profesionisteët që nuk mbrojnë titullin sipas përcaktimeve të këtij neni i nënshtrohen penaliteteve të përcaktuara në Rregullore.

 

Pra titulli mund të të jepet nga Provimi i Shtetit por mund të të hiqet nga Testi i Kontrollit të njohurive të përditësuara, organizuar nga Këshilli Drejtues i UPI-t.

Në këtë kuadër të mos lëmë pa përmendur edhe nenin

  1. Në nenin 28 në Projekt Ligjin e UPI-t thuhet se:
  2. Të gjithë inxhinierët e licensuar janë të detyruar të regjistrohen në UPI brenda 1(një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Regjistrimi brenda këtij afati është kusht për vijimin e ushtrimit të profesionit.
  3. Pas mbarimit të afatit 1 (një) vjeçar të hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjitha liçencat ekzistuese shfuqizohen.

 

Rregjistrimi në rregjistrin e UPI-t do të thotë që profesionisti krijon një llogari në këtë rregjistër me të gjithë informacionet profesionale të tij, përfshirë këtu edhe të dhënat e licensës për ushtrimin e profesionit që ka në përdorim. Pra rregjistrimi në rregjistër, nuk ka lidhje si proces me shfuqizimin e licensave, pasi janë dy procese komplet të pavarura që krijohen në kushte komplet të ndryshme nga njëra-tjetra. Ashtu siç është e shprehur këtu do të thotë që me shfuqizimin e Licensave aktuale një format i ri Licensimi do të aplikohet dhe ky Licensim do të jetë kompetencë  e UPI-t.

 

Kjo gje shprehet qarte edhe në nenin 28/11 të këtij Projekt Ligji :

 

  1. Ministria e linjës brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga krijimi i UPI-t kalon arkivin e liçensave në dispozicion të UPI-t me të gjithë infrastukturën fizike dhe njerëzore që ka, si dhe garanton akomodimin e strukturave të tij pranë saj apo në ambiente të tjera të siguruara prej saj për të garantuar funksionim normal të strukturave të UPI-t. Pagesa e strukturave fizike dhe njerëzore kryhet nga Ministria e linjës deri në finalizimin e miratimit të Rregulloreve dhe vendosjen në efiçencë të plotë të strukturave të UPI-t. Të gjithë inxhinierët që aplikojnë për liçyencë nga ky moment deri në përfundimin e afatit të perdorimit të liçencave, do të lëshohen liçyenca nga UPI, me afat të limituar sipas parashikimit në Nenin 28, pika 3.

 

E gjithë kjo strukturë dhe kompetencë e parashkuar në këtë Projekt Ligj për UPI-n bie në kundërshtim të hapur edhe me ligjin me Ligjin Nr 10 171   dhe me

VENDIMIN Nr. 759, datë 12.11.2014

Për licencimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit  në ndërtim.

(Ndryshuar me VKM nr.943, datë 28.12.2016).

 

Pra është shumë e qartë që qëllimi i këtij Projekt Ligji është vetëm monopolizimi i licensimit të profesionistëve, për pasojë edhe i tregut të ndërtimit në përgjithësi, pasi që këtu fillon menaxhimi i këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë në vendin tonë.

Nëse realisht iniciatorët e këtij Projekt Ligji do të ishin të interesuar për të rritur dhe garantuar cilësinë e profesionalizmit të kësaj kategorie do të duhej të kapej me problemet reale që profesionistët tanë aktualisht po përballen, siç janë Standartet dhe Normat teknike të miratuara me ligj dhe përshtatja e këtyre standarteve dhe normave me ato Europiane si kusht themelor për zhvillimin e vendit në drejtimin e duhur. Aktualisht Standartet dhe Normat tona të projektimit nuk janë në koherencë me kërkesat dhe zhvillimin që po investohet në sektorin e ndërtimit, dhe ky është problemi kryesor dhe imediat për tu zgjidhur zonja deputete profesioniste. Ju e dini shumë mirë që sot inxhinierët profesionistë hasen me sfida të paparashikueshme në hartimin e projekteve dhe preventivave përkatës duke qenë se ju duhet të punojnë me standartet e viteve 1978 dhe me Manualin e cmimeve të vitit 2015, edhe pse jemi në vitin 2022, ku kriza ekonomike mbarë botërore ka nuk ka lënë sektor pa goditur dhe ku cmimet janë të paparashkiuara edhe sot për nesër, kurse juve ju ka mbetur akoma aktive dhe me ligj madje, analiza e cmimeve të vitit 2015. Si mund të lihet pa përmendur ky detaj që është edhe faktori kryesor i cilësisë së punës së një inxhinieri profesionist dhe ju nxitoni fillimisht të përgatisni Projek Ligjin e Licensimit, pavarësisht se asnjë justifikim tekniko-ligjor nuk keni për këtë iniciativë, përvec atij të monopolizimit dhe krijimit të një biznesi (pasi kështu është trajtuar në cdo nen të tij ky Projekt Ligj) dhe kapjen e këtij sektori të ekonomisë nga oligarkët e rradhës.

 

  1. Vlerat financiare dhe kushtimi i këtij Projekt Ligji

 

Vetëm për aktivizimin e këtij procesi në vitin e parë të tij, sipas parashikimeve dhe preventivit të paraqitur nga zonja deputete do të kërkohen nga buxheti i shtetit një shumë prej 1.103.320 euro, gjë e cila të lë të kuptosh se xhiroja vjetore e kësaj organizate, shoqate apo enti profesional, sido që do ta quani do të jetë  duke filluar nga 1.103.320 euro. Kuptohet shumë qartë qëllimi i këtij ligji që kërkon të punësojë një grup njërëzish të cilët do të menaxhojnë deri në detaje të gjithë jetën profesionale të inxhinierëve në Republikën e Shqipërise. Ligji i propozuar nuk ka asgjë të ngjashme me qëllimin dhe fokusin për të cilin janë krijuar ligje të ngjashme në Europë dhe në botë. Nuk ka asnje nen të këtij ligji që ti jetë referuar Urdhërit Profesional të Inxhinierit Hollandez apo Italian sic serviret në Relacion shoqërues të zonjës deputete. Në asnjë pikë të tij nuk gjen lidhje me qëllimin për të cilin keto Urdhëra janë krijuar në vendet e zhvilluara dhe mbi bazën e të cilave ato operojnë prej dhjetra dhe qindra vjetësh.

 

Natyrisht që ne si grup interesi kemi bërë një analizë të detajuar të këtij propozimi dhe e kemi kundërshtuar atë për mënyrën se si është formuluar, për qëllimin që fshihet pas tij dhe për impaktin negativ që do të ketë në jetën e inxhinierëve profesionistë në të ardhmen.

Ju lutem kini durimin të lexoni këtë analizë e cila sic ju thamë edhe më sipër është dërguar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës në muajin Mars 2022 kur ishte shpallur për konsultime me publikun varianti i propozuar nga Ministria përkatëse, të cilin po e dërgojmë bashkangjitur këtij peticioni.

 

  1. Analiza tekniko-profesionale e shprehur nga mendimet e profesionistëve.

Ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe delikat dhe inciativa të tilla mund të rezultojnë drastike për jetën profesionale të kësaj shtrese të shoqërisë, ndaj  shqyrtimi i tyre kërkon maturi, konsensus të gjërë dhe profesionalizëm të niveleve të larta.

Në këtë Projekt Ligj nuk e gjen veten të lirë dhe të motivuar asnjë nga Profesionistët që ushtrojnë aktivitetin e tyre ndër vite dhe aq më pak ata që do t’i bashkohen këtij kontigjenti në të ardhmen. Cilido qoftë qëllimi i projektligjit, duhet të garantohet integriteti i gjithësecilit, e drejta për ushtrimin e profesionit, të shmanget abuzimi me rryshfete për të kaluar klasën dhe për më tepër monopolizimi, dhënia me qera e liçensave (ndodh edhe me licensën e eficensës së energjisë psh), pazaret për çertifikimin, përjashtimet nga e drejta e zhvillimit të profesionit, nga tenderat, presionet mbi profesionistët, dhe minimalisht heqjen e mundësisë për inxhinierët e rinj. Gjithsesi, profilizimi apo specializimi i secilit është fakt, dhe duhet të garantohet nëpërmjet instrumentave përkatës, totalisht përtej këtyre drafteve tipike të kamufluara nën fasadën e progresit apo standartizimit. Duhet garantuar e drejta e çertifikimit akademik për ata që kanë dëshirë të fokusohen në studime të thelluara, por edhe liria e zgjedhjes dhe profilizimit të inxhinierit të materialeve, të cilësisë, të analistit të riskut, të inxhinierit të sigurisë, apo edhe e projektuesit që zhvillon projekte në përputhje me kërkesat e kohës sot por që janë të vlefshme edhe në të ardhmen, duke konsideruar edhe ndryshimet teknologjike që po zhvillohen cdo ditë.

Nisur nga të gjithë argumentet e mësipërme si dhe duke mos u ndjerë  të përfaqësuar në këtë ligj ne nuk jemi dakort për aprovimin e tij dhe e kundërshtojmë atë më forcë pasi do të prishë balancat në treg, do të krijojë situata favorizueze për disa individë dhe diskriminuese për të tjerët si dhe do të krijojë një klimë profesionale të pabazuar në meritën profesionale të individit por të justifikuar nën petkun e aprovimit të urdhërit te inxhinierit do të përjashtonte rregullimin e tregut sipas kërkesave të tij.

 

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, jemi të gatshëm për cdo disktuim apo sugjerim në këtë proces.

 

Me respekt

Nje grup inxhinierësh sipas listës emërore bashkangjitur përfaqesuar nga

Inxhiniere Deshira Mena

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?