Në Shqipëri po përhapet me shpejtësi varianti Omicron. Sipas informacioneve shumë shkolla në Tiranë po kanë mungesa dhe po mbyllen, pasi janë prekur fëmijët, por edhe mësuesit.
Rasti më i fundit i përket një klase në shkollën “Edit Durhami” në Tiranë, ku nxënësit janë prekur me Covid dhe është mbyllur.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë deklaruar në media se në vendin tonë “80 për qind e rasteve janë me variantin Omicron, e vetëm 20% janë me atë Delta”.
“Kemi edhe raste me Delta, po Omicron. Nuk kemi të shtruar me Omicron në spital. Kemi edhe raste me grip fëmijët qëndrojnë së bashku për disa orë të tëra”, tha ekspertja e ISHP-së, Rovena Daja.
Shqetësimi i saj është ngritur edhe për faktin se varianti i ri po përhapet me shpejtësi te fëmijët. “Numri i rasteve është rritur për vetë faktin pasi po qarkullon Covid dhe grip. Kur na vijnë tamponët një pjesë e fëmijëve del me grip. Numri i rasteve do rritej sepse janë rritur rastet në të gjithë vendin. Përveç faktit që fëmijët nuk i mbajnë maskat. Në klasat që është vënë re një rritje e numrit të rasteve është mbyllur për të vazhduar me mësimin online”, tha për mediat Rovena Daja.
Vetë ISHP-ja e pranon se Omicron po përhapet me shpejtësi të fëmijët, ndërsa ministria e Arsimit nuk ka ende një reagim apo qëndrim se si do të veprohet. A do të ishte më e udhës që shkollat të mbylleshin për një apo dy javë? Kjo për faktin se vetë ekspertët e shëndetësisë parashikojnë këto dy javët e janarit të jenë edhe piku i infektimeve nga varianti i ri Omicrion i Covid. Mbyllja e shkollave do të ndikonte në uljen e shifrave të larta të të infektuarve, ku në këtë periudhë po kemi mbizotërim jo vetëm të Covid, por edhe gripit sezonal.