Zikaltërit të vetëm në krye të Serie A, i ndjek Milan
Inter shfrytëzon hapin fals të Milan, nuk gabon asgjë ndaj Cagliari duke siguruar një fitore me “poker” golash që i dhuron kreun e Serie A, plus 1 nga kuqezinjtë. Ekipi i Simone Inzaghi duket i kolauduar në perfeksion, këtë e vërtetuan sërish duke kaluar me shumë lehtësi këtë sfidë. Në “San Siro”, Lautaro Martinez bëri “engjëllin” dhe “djallin” brenda pjesës së parë, fillimisht duke kaluar Inter në avantazh me një goditje me kokë, ndërsa në fundin e pjesës së parë gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Me fillimin e pjesës së dytë, Sanchez i shërbyer në qendër nga Barella realizoi golin e dytë për zikaltërit ndërsa në minutën e 66-të, Calhanoglo me një predhë dërgoi shifrat në 3-0. Historia e këtij takimi përfundoi dy minuta më pas teksa Martinez realizoi golin e katër për Inter dhe të dytin personal.
Në përfundim të ndeshjes, Simone Inzaghi përgëzoi djemtë për paraqitjen e bërë por nuk nxitohet kur pyetet nëse Inter është tani favorit për të fituar titullin: “Jemi në krye dhe aty dëshirojmë të qëndrojmë, por kemi parë se gjërat mund të ndryshojnë shumë në pak ndeshje. Kemi besim, duhet të shohim përpara dhe jo të mendojmë për tabelën e klasifikimit”.
(BalkanWeb)