Vrasja e Xhuvanit, Bardhi: Di gjithçka që ka ndodhur

Aktualitet Politike

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar se ka informacionin e plotë në lidhje me gjithçka që ka ndodhur në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur më 21 prill të vitit 2021, vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare.

I ftuar në “Intervistën me Merita Haklaj”, Bardhi tha se di se kush ka qenë rrethi i personave të përfshirë në atë ngjarje, e sigurisht edhe dinamikën. Por, Bardhi shtoi se ka vendosur të tërhiqet, të mos flasë, sepse dëshiron që t’i japë shansin drejtësisë për ta zbardhur këtë çështje.

“Ka qenë një ngjarje e rëndë, por e paralajmëruar nga PD për shkak të mënyrës që zgjodhi PS për të bërë fushatë, për të shantazhuar dhe kërcënuar votuesit, por edhe për të blerë vota. Unë kam bërë thirrje për të hetuar në mënyrë të shpejtë dhe profesionale. Në dijeninë time, hetimi është në zhvillim. Nuk ka akoma një konkluzion të organit të prokurorisë. Unë nuk ka folur dhe kam vendosur të mos flas për këtë ngjarje derisa organet e drejtësisë të flasin, për shkak se aty ka pasur për fat të keq humbje jete të një babai, dhe plagosje të dy të tjerëve. Unë kam vendosur për të mos komentuar atë ngjarje, pasi për mua nuk ka rëndësi politika kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Në anën tjetër, unë dua të siguroj se kam informacionin e plotë se çfarë ka ndodhur në atë ngjarje, kush ka qenë rrethi i personave të përfshirë në atë ngjarje, sigurisht edhe dinamikën. Kam vendosur të tërhiqem, të mos flas, sepse dua t’i jap shansin drejtësisë për të bërë drejtësi në atë çështje,”- u shpreh Gazment Bardhi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?