27 emigrantë me skaf nga Turqia në Greqi
Në pranga kanë rënë pesë persona si pjesëmarrës të një organizate kriminale për trafikim të emigrantëve të paligjshëm nga Turqia në Rodos të Greqisë.
Pas një operacioni të kryer nga Porti i Rodos në bashkëpunim me Drejtorinë e Mbrojtjes së Kufijve Detarë(DAPTHAS) ky grup u shkatërrua.
Fillimisht Autoriteti Portual i Rodos u informua për një skaf i cili ndodhej në një zonë detare të Rodos, ku menjëherë në vendngjarje ka shkuar një varkë patrullimi për të identifikuar skafin.
Pas hetimeve rezultoi se anëtari kryesor i këtij grupi është një 38-vjeçar , banues në Rodos, i cili më pas u arrestua.
38-vjeçari dyshohet se ka koordinuar me trafikantët në Turqi transferimin e paligjshëm të emigrantëve nga Turqia në Rodos dhe gjithashtu është kujdesur për pritjen si edhe transferimin e tyre në hotelet në përcaktuara për të qëndruar në ishull, të cilat funksiononin si “shtëpi e sigurt” për tu fshehur nga policia.