Samiti i Shkupit/ Rama sulmon Kurtin në sy të Vuçiçit

Aktualitet

Nga Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, i cili po mbahet në Shkup, kryeministri Edi Rama u shpreh se ‘kush nuk e kupton sa të vegjël jemi të ndarë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën’.

“Uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria dhe Serbia, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e shtete të tjera. Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej 3 vendeve tona.

Besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes që duan të shkojnë më tutje. Për të gjithë ata, kjo nismë është gjëja e duhur dhe ndryshe nga sa predikojnë disa, është edhe e vonuar”.

“Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt. Kush nuk e kupton akoma sa të vegjël jemi të ndarë, për më shumë punë, për më shumë perspektivë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar sulmoi edhe kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që e ka refuzuar edhe sot këtë nismë.

“Ne nuk mund të presim konsensus nga të gjithë për t’u takuar. Çohet njëri dhe thotë nuk duhet të takohemi apo nuk duhet të nënshkruajmë këtë apo atë”, tha Rama.