Skandali i përgjimeve të Rilindjes, SPAK harron autorët, heton denoncuesit

Aktualitet

Prokuroria Speciale, duke u përqëndruar tek drejtuesit e Lapsi.al, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, po e trajton skandalin e megapërgjimit si rrjedhje të dhënash. Ndryshe nuk mund të shpjegohet, që në vend të thërrasë autorët e përgjimit, në vend të shohë provat publike tashmë, thërrët denoncuesit.

Kërkon dokumentin origjinal, në vend që të marrë provën që po qarkullon me usb, email, Whatsapp në gjithë vendin, duke i shndërruar të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë në objekt gallate në rastin më të mirë dhe shantazhi në rastet e këqija.

Rama dhe Veliaj dje mbrojtën të anatemuarit “patronazhistë”, që u bënë publikë nga dokumenti, duke e konfirmuar kështu autorësinë e dokumentit. Dhuratë për SPAK e quajti me të drejtë një jurist që është edhe kandidat për deputet i opozitës dhe si rrjedhim, më i dëmtuar nga procesi i survejimit. (https://dosja.al/u-merrni-te-keqen-vojo-bregu-komenton-deklaratat-e-rames-dhe-veliajt-pranuan-fajin-publikisht-dhurate-per-spak/).

Nëse dokumenti nuk do të ishte i Partisë Socialiste, as patronazhistët e ekspozuar në të nuk do të ishin të Partisë Socialiste. Edi Rama, as do i mbronte, as do kërcënonte qytetarët duke u kujtuar se patronazhistët i dinë të gjitha.

Në vend të shqetësohej për hartimin e dokumentit nga një parti që ka marrë të dhënat e zyrave të shtetit, në vend të shqetësohej për keqpërdorimin e të dhënave personale, në vend të kërkonte masa urgjente për krimin kibernetik të shpërndarjes së të dhënave personale, në vend që të pyeste hartuesit e dokumentit dhe bashkëpunëtorët e tyre, SPAK po kërkon vetëm të gjejë burimin.

Gjykata speciale i jep të drejtën të veprojë si hetuesia e diktaturës dhe të merret me denoncuesin, jo me autorin e krimit. Hetimi ka ngecur se dy gazetarët e njohur që drejtojnë Lapsi.al, nuk pranojnë të dorëzojnë dokumentin që është njësoj si të dorëzosh burimin.

Mbrojtja e burimit i njihet edhe nga ligji si e drejtë do gazetari.

Pavarësisht punës në drejtim të kundërt që po bën SPAK, denoncimi është i mjaftueshëm për të kuptuar që Rilindja ka shkuar përtej atij që e quan organizim kapilar. Në kundërshtim flagrant me ligjin, ka shkarkuar nga serverat e Shtetit në serverat e partisë, të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve të Tiranës.

I ka organizuar, i ka ndarë në zona sipas adresave, ua ka shpërndarë drejtuesve politike, pastaj aktivistëve nëpër lagje deri ne blloqe banesash. Ky akses i paligjshëm i të dhënave që i besohen Shtetit dhe vetëm atij, është keqpërdorur nga aktivistët e Rilindjes për të ndryshuar vullnetin e tyre zgjedhor.

Në këtë regjistër të paligjshëm, përgjimit të bërë nga drejtuesit e lartë politikë, u shtohet edhe survejimi i “patronazhistëve”. Nëse nga përgjimi, del se qytetari që kërkon një shërbim nga shteti, nuk e ndryshon bindjen, atëherë shteti nuk ia jep shërbimin. Shërbimi i Shtetit, të cilin qytetari e paguan me taksat e tij, pra e paguan nga xhepi i tij, është bërë mjet shantazhi politik.

Pra, përveç nxjerrjes së të dhënave personale, përvec shpërndarjes së tyre dhe keqpërdorimit politik nga një forcë politike, kemi të bëjmë edhe këqpërdorimin e Shtetit për arsye partiake. Kjo e plotëson këtë skandal, për ta bërë një aksion të rrezikshëm kundër qytetarëve.

Në diktaturë, të gjitha të dhënat personale i zotëronte Shteti dhe Partia, që ishin të pandarë. Një person që ishte kundër partisë, jo vetëm që nuk merrte shërbime nga Shteti, por edhe persekutohej, burgosej, internohej. I mohoheshin të gjitha të drejtat dhe trajtohej si qytetar i dorës së dytë.
Gjithkush është i lirë të krahasojë, nëse kjo metodë e Rilindjes, i ngjan organziimeve elektorale amerikane, apo diktaturës komuniste. Gjithkush është i lirë të gjykojë, nëse ky bashkim i partisë me shtetin, për t’i trajtuar qytetarët e partisë si të dorës së parë dhe ata kundër partisë si të dorës së dytë, ngjan me diktaturën apo me demokracinë.

Heton ose jo SPAK, në 25 prill duhet të vendosim nëse do ia lëmë fatin e jetës sonë Partisë në dorë, apo do ta rrëzojmë partinë – shtet, për të ndërtuar një shtet pa parti. Ndoshta një shtet problematik, por jo kamzhik partiak mbi qytetarët.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments