Trump/ ‘Ata nuk donin që të fitoja me vaksinën’
Lajmi i rëndësishëm se vaksina kundër koronavirusit siguron një mbrojtje të fuqishme dominoi mediat ndërkombëtare një ditë më parë.
Megjithatë, në rrjetet sociale pati jo pak spekulime se përse ky lajm u bë i ditur tani që mbaruan zgjedhjet në SHBA.
I pari që u dha zë këtyre spekulimeve ishte djali i Donald Trump, Don Jr. Ai tha se koha kur u bë shpallja për vaksinën është e qëllimtë. Sipas tij, kompanitë farmaceutike e urrenin babanë e tij pasi ai i detyroi që të ulte çmimet e ilaçeve.
Më pas ishte edhe vetë Donald Trump që tha se Administrata për Ushqimet dhe Barnat (AUB) nuk donte që t’i jepte atij një fitore me vaksinën, duke e shpallur lajmin përpara zgjedhjeve.
“AUB dhe demokratët nuk donin që të më jepnin një fitore me vaksinën, përpara zgjedhjeve, kështu që lajmi doli pesë ditë më vonë. Siç e kam thënë,” shkruan Trump.
Ndërkohë Administrata për Ushqimet dhe Barnat ka miratuar edhe përdorimin e ilaçit eksperimental të antitrupave, që u vlerësua nga Trump kur ai ishte i sëmurë.
