Duke ndjekur “debatin” për legalizimin e hashashit!
Nga Besnik Aliaj
Shqipëria ka një GDP formale rreth 13 miliardë💲dhe po kaq informale! Ky 26 miliardësh ndahet në 4 fasha ekonomike thuajse të bararta: 1) ilegale, 2) informale, 3) ekstraligjore, 4) dhe ligjore.
Të formalizosh astet dhe kapitalet e vdekura të njerëzve në nevojë (2), të luftosh korrupsionin në administratë e shërbime dhe të korrektosh ineficencën e shtetit (3), është ok!
Por të hysh në negociatë dhe të bësh pazar duke formalizuar të paktën 6 miliardë nga krimi i organizuar (1), është gabimi më fatal që mund të bëhet ndaj këtij vendi, me apo pa dashje!
Jo legalizimit të bimëve narkotike në një vend me institucione shumë të dobëta, me kulturë sociale dhe demokraci jo funksionale, dhe ku shpesh ngatërrohen jo pak herë partia, shteti dhe krimi!
Çështja është:
A do ja bashkangjitësh 50% të popullsisë fashës së krimit të organizuar (1), apo fashës së njerëzve të ndershëm (4), të cilët mbajnë në shpatulla prej 3 dekadash në mënyrë ligjore dhe të ndershme barrën kryesore fiskale, dhe atë të reformave pa fund në këtë vend?
Mos dëgjo këngët e “sirenave”, por investo për punën e ndershme të sipërmarrësve vendas! Investo në arsim, kulturë dhe shkencë! Kurrë mos e fut djallin në derë, se të merr nesër shtëpinë! Në të kundërt “El Chappo-t” dhe “Escobar-ët” janë gati tek dera. Po presin vetëm fërshëllimën !