Ruçi: Pas pandemisë, do të jemi vendi më i sigurt në botë!

Politike

Parlamenti shqiptar nisi punimet e seancës së jashtëzakonshme, me një fjalim të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ajo që ra në sy në fjalën e tij ishte infektimi jo nga virusi COVID-19, por nga deliri. Në fund të fjalës Ruçi ju dha lajmin e madh shqiptarëve, se vendi ynë pas mbylljes së `historisë` së koronavirusit me shumë gjasa do të dalë vendi më I sigurt në botë. Dhe pas kësaj- vazhdoi Ruçi- në Shqipëri do të mësyjnë investitorë të shumtë të huaj.

Ironia dhe qesharakja e këtij deliri qëndron edhe te fakti, se këto deklarata për shndërrimin e Shqipërisë në një nga vendet `më të sigurt në botë` bëhen në një seancë ku parashikohet që të ndryshohet Kodi Penal me synim frikësimin dhe trajtimin e qytetarëve të thjeshtë si kriminelë në tentativë.

Dhe ndoshta Gramoz Ruçi ka të drejtë, sepse me ligjin që pritet që të votojnë sot dhe qeverisjes nëpërmjet Akteve Normative, Shqipëria rrezikon që të jetë vërtet një nga vendet`më të sigurt në botë` siç është edhe Bjellorusia ku presidenti i saj deklaron, se “sa të jem unë nuk ka për të pasur asnjë rast infektimi në Bjellorusi”!