Arrestohet analisti Henri Çili
Mësohet se Çili është arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm për llogari të Prokurorisë së Përmetit me akuzën për korrupsion te organet e drejtësisë.
Burimet thanë për News24 se bashkë me Çilin janë arrestuar dhe 7 persona të tjerë, mes tyre dhe një avokat, të cilët dyshohet se janë transferuar nën forca të shumta policore drejt Gjirokastrës. Ndërkohë ka dhe disa persona të shoqëruar.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se Prokuroria e Përmetit ka nisur hetime në shtator të 2019-ës për prodhim dhe shitje narkotikësh. Gjatë këtyre hetimeve, dyshohet se Henri Çili ka komunikuar me babain e Arbion Alikos.
Po ashtu Bezat raporton se ka dyshime që Çili i mori shuma të konsiderueshme parash apartament dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte ta nxirrte të birin nga burgu. Çili dyshohet se i ka premtuar lazaratasit, që do të ndikonte në vendimin e gjykatës.
Seksioni i hetimit në Policinë Gjirokastër ka ndërmarrë një operacion që është shtrirë në disa qytete. Ka bërë kontrolle në banesa dhe janë sekuestruar armë dhe municione.
Kujtojmë se Arbion Aliko, pjesë e grupit të zjarrit, është dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.
Ibrahim Basha mbeti i vrarë në Lazarat, gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur të shtënat ndaj policisë lokale, operacion antikanabis në 2014-ën. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.
(BalkanWeb)
