Tjetër Kryebashkiak i Rilindjes në fazë verifikimi

Aktualitet

Një tjetër Kryebashkiak i Rilindjes po verifikohet nga Partia Demokratike lidhur me të shkuarën e tij.

Boldnews.al ka mësuar se kryebashkiaku që po verifikohet i përket një prej bashkive në jug-lindje të vendit dhe ka dyshime se në formularin e vetëdeklarimit nuk ka raportuar një arrestim që ka patur vite më parë.

Mësohet se rasti në fjalë po verifikohet dhe nëse dyshimet do të provohen, atëherë do t’i kërkohet zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë.

Burime nga PD shprehen se kryebashkiaku në fjalë ka qenë i arrestuar në Shqipëri rreth 25 vjet më parë, bashkë me disa persona të tjerë, por kjo gjë nuk është shënuar në formularin e vetë-deklarimit, çka do të thotë se nëse kjo rezulton e vërtetë, kryebashkiaku humbet automatikisht mandatin dhe ndiqet edhe penalisht për falsifikim me formularin e vetë-deklarimit.

Deri më tani si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, dy kryebashkiakë të Rilindjes, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku kanë humbur mandatin, ndërsa Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Agron Malaj i Matit janë në proces verifikimi.

Ndërkohë, një ditë më parë për Kryebashkiakun e Bulqizës u publikua një video nga abcnews, ku pretendohet se ai në një ambient publik, konsumon lëndë narkotike. Vetë Kryebashkiaku ka mohuar se është ai personazhi që shfaqet në video, madje e ka cilësuar atë si montazh. Ndërkohë që nga ana e Qeverisë dhe PS-së nuk ka asnjë reagim lidhur me rastin në fjalë.

Zyrtarisht PD ka deklaruar se ka në proces verifikimi 15 kryebashkiakë, që sipas partisë më të madhe të opozitës, mund të humbasin mandatet për shkak të ligjit të dekriminalizimit.