Palolibri i Kalo Bllokut

0

Nga Edison Ypi.

Kalo Blloku në bashkëpunim me Isuf Pankreasin ka bërë një palolibër. Palolibri i Kalo Bllokut flet për kurvin si për një mbret serioz, madje të vrërët, por të drejtë, rrethuar nga oborrtarë grindavecë dhe komplotistë besëprerë, por që për nga talenti për të vrarë dhe aftësia për të bërë keq nuk i afrohen kurvit as te thoi i këmbës. Kalua e tregon Bllokun si Versajë. Me intriga oborri. Kush e kush t’ja fusi tjetrit. Ose si aneks të bulevardit. Ku gëlon jeta, kërcet shampanja. Ku fejohen, martohen, trashëgohen, sëmuren, mjekohen, shërohen, thashethemnohen. Ku frikën nga vdekja plakave ua largon Kalo Blloku me placebo. Këto dhe të tjera Kalo Blloku i rrëfen si fakte që ndodhin në një mjedis të mbyllur, në një epruvetë, që nuk i binden asnjë ligjësie, nuk kushtëzohen nga asnjë dialektikë, si dramë e një teatri absurd që ka vetëm skenë. Ku sallë, platè, spektatorë, duartrokitje, fërshëllima, dhe gjithçka tjetër, është vetëm skena ku bëhet batërdia e heshtur.
Çfarë ishte në të vërtetë ajo skenë që Kalo Blloku i palolibrit e paraqet si Versajë ?
Skena e palolibrit të Kalo Bllojut ishte një heshtnajë pa asnjë pipëtimë, një errnajë pa asnjë dritë, një shkretnajë e pashpirt, një saharë e thatë, një zgavër gjarpërinjsh, një zgjua grenxash. Çka në palolibrin e Kalo Bllokut të çudit janë ato që ai i quan “histori rozë”. Neve që atëhere këtu ishim, budallenj s’qemë dhe çoç nuhatnim, ajo që Kalo Blloku quan “flirt në Bllok” do na tingëllonte si “Dashuri në krematorium”, “Dasëm në frigorifer”, ose “Seks në varr” dhe do na bënte të qeshnim dhjetë vjet rrjesht duke u lodhur ta gjemë me ment dhe duke vënë baste me njëritjetrin; Si mund të ishte vallë një letër dashurie e, ta zemë, Lenka Çukos drejtuar Hysni Kapos ? Apo me çfarë brekësh i ka vajtur në takim kuçedra Nexhmija Qemalit, pastaj kurvit, pastaj Ramizit, pastaj Kalo Bllokut ? Në Tiranën e atëherëshme dhjetë herë më e vogël dhe një mijë herë më e kontrolluar se sot, ku miza që kalonte në Kashar dëgjohej në Sauk, ajo që Kalo Blloku e quan flirt të gruas së Bashkim Shehut me një diplomat francez, është rrena më e madhe në botë, me dozë për dinosaur. I vetmi “flirt në bllok” që Sigurimi nuk do mund ta ndalonte mund të ketë qënë ai i Kalos me Nexhmijen, Kalos me Nexhmijen dhe kurvin njëkohësisht, Kalos me kurvin tek për tek.
Me në krye një kryevrasës, një kryebandit, një sadist delirant sedentar diabetik, rrotull ca halabakë, mender Blloku ishin ca rrugaçë që mbaheshin për çlirimtarë por skishin bërë asnjë luftë, ca tuhafë që mburreshin se bënin ekonomi por asgjë s’prodhonin dhe asgjë s’prisnin. Ose e vetmja gjë që prisnin, por kurrë nuk mundën ta dinin, ishte data kur kurvi do ti vriste me lehtësinë e bërjes së një kryqi me laps mbi një copë letër. Bijtë dhe nipërit e Bllokut ? Ata që hiqen për liberalë ? Nuk më qeshet aspak. Liberalizmi i tyre, sa cipa e flluckës së sapunit. Vetë ata, fllucka bosh nga brenda.
Platea e kohës së palolibrit ishte një magazinë gjysmash; Gjysëm Shqipërie që popullohej nga shqiptarë të katandisur në gjysëm njerëz, që po të thonin gjysëm fjale i fusnin në burg gjysmën e jetës, ku po të dhimbte gjysma e kokës të jepnin gjysëm aspirine, dhe nëse hidhje gjysëm ickle, ta çponin ballin me gjysmën e lekut. Ishin këto gjysma falë të cilave sundonte diabetiku i pervertuar që kuronte Kalo Blloku.
Të ishte marrë Kalo Blloku me diabetin e kurvit nja dy a tre vjet. Të kishte bërë vetë disa flirte të rrezikshme andej rrotull. Të ishte llaftarisur nga çdo t’i shihnin sytë e dëgjonin veshët. T’i kishte hedhur kurvit ndonjë gjë në kafe. Kurvi të ngordhte pas nja gjashtë muajsh. Ta kishte shpëtuar Kalo Bllokun nga pushkatimi mungesa e kurvit. Ta kishin dënuar Kalon njerzit e Nexhmijes nja 20 vjet në Spaç. Ta kishin nxjerrë Kalon nga Spaçi pas nja tre a katër vitesh njerëzit e Mehmetit. Jo palolibri i Kalo Bllokut, por ky do kishte qënë Libër. Madje best seller. Me gjasa edhe film i Hollivudit me regjizor Steven Spielberg.
Kalo Blloku nuk pretendon të jetë antikomunist, por vetëm mjek që i ka shkrepur të dëshmojë në mënyrën e vet. Le ti jetë dukur Kalos Blloku si Versaja dhe kurvi si Napoleoni. Duke mbajtur gjallë kurvin që është dashur pushkatuar ose shkuar në hell qysh herët, ajo çka në fund të fundit Kalua ka dashur të bëjë, është ta paraqesi Ferrin si Purgator. Diçka e frikshme. Por e pamundur..
Si ndodhi që kurvi ua preu të gjithëve kokat dhe askush nuk nuhati paraprakisht ? këtë dhe një mijë pyetje të tjera, Kalo Blloku bën sikur e di, kuturis ta rrëfejë, por pa sukses.
Kalo Blloku mender librin për kurvin e ka bërë si ja ka marrë mendja atij, jo mua, as tya.
Niçe thotë se duke e luftuar përbindshin (e jo më duke i shërbyer) e pamundur të mos i ngjash. Por është po aq e vërtetë edhe tjetra; Një letërsi e tërë mund të çedukojë, por nuk mund t’i bëjë të besueshme rrenat.
Është libër i shkruar nga dikush rrethuar gjithë jetën nga njerëz që nuk kanë pasur asgjë por kanë jetuar, dhe befas ka konstatuar se ka pasur gjithçka por s’ka jetuar.
Si i tillë, palolibri i Kalo Bllokut, është emocionalisht revoltues, por jo objektivisht i rrezikshëm apo i dëmshëm. Është thjesht një libër mediokër, një palolibër, për një menderpublik.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author