A DO TË NA E FALË NDONJËHERË GREQIA QË GUXUAM TË KANDIDOJMË?
Nga Brikena Qama
Më kujtohen si tani momentet që më tregonte im vëlla se si udhëtonte orë të tëra maleve, me lepurin në bark, për të arritur në tokë greke. Pak rëndësi kishte për të nëse pas një ore, jave, muaji a muajsh, do ta “mbërthenin” e do ta kthenin mbrapa duke i dhënë një shkelm bythëve e duke e sharë me shpi e komb, ai do të provonte sërish e sërish.
Kujtoj dhe se si kishte njohur një Marie, një Kristina a një Eleni, gra të veçanta që i kishin hapur derën dhe e kishin ushqyer e veshur, ashtu siç kishte njohur dhe një Jorgo apo Kristo që e kishte marrë në punë dhe e kishte paguar me një pagë qesharake.
Se si kish pranuar të ndajë një dhomë me 4-5 të tjerë dhe se si ecte kokëulur për mos të rënë në sy të policisë edhe pse nuk kishte ndryshim as në ngjyrën e lëkurës e as në veshje nga moshatarët e tij grekë. Shqiptarët njiheshin gjithsesi.
Vite më pas erdhëm dhe ne. Në kushte shumë më komode udhëtimi dhe me gjithë të tjerat të bëra gati, banesë, punë. Edhe pse nis një tjetër jetë, në tjetër vend me zakone e mënyrë jetese krejt ndryshe nga ç’ishe mësuar duket se njeriu nuk e paska dhe aq të vështirë përshtatjen. Vërtetë merr pak kohë por rrjedha e përditshmërisë nuk të lë të mendosh gjatë.
Që prej asaj kohe kanë kaluar 22 vite. Për shumë të tjerë, si dhe për tim vëlla, me shumë, 25 e ndoshta 30.
Çfarë mund të bëjë dikush në 30 vjet? Mëson, punon, krijon familje, bëhet prind.
Jeton.
Në gjithë këto vite nuk harron asnjëherë se je një i huaj, se duhet të kesh mendjen mos të gabosh askund pasi je nën survejim. Ti mund ta harrosh në momente të caktuara por ta kujtojnë, në rrugë kur të shikojnë vëngër pasi nuk e kuptojnë gjuhën që ti flet me bashkëkombësin tënd, ta kujtojnë në shkolla e parqe ku fëmija yt nuk luan si të gjithë e me të gjithë fëmijët e tjerë, në çdo vend pune që ndoshta të ka përdhosur dinjitetin dhe qe kushedi se sa herë e ke ndërruar sepse paguhesh si mos më keq e i pa siguruar, ta kujtojnë në çdo rinovim të lejes së qëndrimit, me radha që në pikë të mëngjesit e haraçet e paguara.
Në fakt, i harron të gjitha kur sheh arritjet e tua. Ke arritur shumë. Fëmijët e tu janë më të mirët në mësime, ti vërtetë je lodhur shumë por më në fund arrite të kesh një shtëpi tënden.
Martove djalin me vajzën e Thodhoriut, grekut që banon në pallatin përballë e çdo mëngjes e pi kafen me krushkun e dukeni kaq njësoj. Ja, dhe ligjet ndryshojnë vit pas viti dhe ti arrin të bëhesh nënshtetas grek (je nga të paktët por mendon e shpreson se do ketë për të gjithë).
Tashmë ti ke të drejta të njëjta me grekun.
Pas 30 vitesh ti ke të drejtën e votës.
Sot mësove për kandidatin me kombësi shqiptare. Eh, si t’u ndez gjaku!
Fëmija yt në Bashki, në Prefekturë, në Parlament!
Megjithatë, ti mbetesh shqiptari brekëgrisur që nuk kishte të hante, që guxove të shkelësh në këtë tokë, që guxove të kesh shtëpi e biznes, që more dhe makinë të mirë.
Të gjitha t’i bëmë hallall, por SI GUXON TË KANDIDOSH?
