Kryetari i LDE – Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë z. Arian Galdini, nis një tur takimesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë
Kryetari i LDE – Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë z. Arian Galdini, ka nisur ditët e fundit një tur takimesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë ku po zhvillon bashkëbisedime me qytetarë, intelektualë dhe të rinj e të reja, në kuadër të përgatitjes së LDE për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Stacioni më i fundit i LDE ishte qyteti i Lushnjës.
Ndërsa prezantoi lëvizjen e re politike dhe ekipin drejtues të LDE për qytetin e Lushnjës, Kryetari i LDE Arian Galdini deklaroi se:
“Demokracia shqiptare ka mbërritur në pikën e saj të vdekjes.
Lindi në dhjetorin e vitit 1990, e ndërsa sot pas 29 vitesh qeverisemi nga Rilindja, as mer më frymë, e as mundet të ecë dot. Qeverisja me një Tepsi e një Timon e Rilindjes, nuk shënoi fundin e një shprese e as të një partie, por kalljen në arkemortin e përgatitur prej Pakicave Plaçkitëse, të vetë demokracisë shqiptare.
Opozita nën agresionin shfarrosës të Edi Ramës, është shtyrë drejt një vendim-marrjeje të gabuar me djegien e mandateve e gjithë sa vjen si rrjedhojë prej kësaj.
Kemi mbërritur në atë realitetin kur demokracia dhe Shqipëria janë bërë si hëna dhe pellgu.
E shohim hënën mbi pellg, por e dimë që nuk është aty, e nëse rendim drejt saj, asgjë e mirë nuk ka për të ndodhur përveçse faktit që ne do të mbytemi.
Demokracia është hëna, Shqipëria e Qeverisur nga Rilindja është pellgu, e ne qytetarët, e ne si Opozitë po zhytemi dëshpërimisht në pellgun tonë të ngrehur si kurth prej Mafias Estetike që kemi mbi krye në Qeveri, por demokracinë nuk e prekim dot, e po rrezikojmë të mbytemi.
Na e kanë vrarë demokracinë, për të na risjellë sërish tek alternativa mes atdheut qe na mbyt dhe partisë që na bëhet barkë shpëtimi.
E ky është një turp e gjëmë që nuk duhet ta lejojmë më.
Kryemimistri yne sot ngjason me sjellësin e fatkeqësive. Ai na zapton orë të tëra në ditë e çdo ditë, kohë televizive për fjalime në aktivitete partie, apo qeverie si partia, e kur ne i kërkojmë të na flasë, të na japë llogari, Edi Rama me arrogancë na thote se nuk na flet, as na përgjigjet e as na jep llogari nëse nuk i shkruajmë tek Portali i Rilindjes.
Ky njeri është shndërruar në rrezik publik.
Kjo Qeverisje e Pakicës Plaçkitëse, nuk duhet lejuar më që të bëjë biznes funeral me demokracinë, lirinë, ekomominë dhe atdheun tonë. Edi Rama nuk e meriton e as duhet lejuar më të qeverisë sikur administron e ben biznes funeral me gjithçka drejton.
Ai fiton e përfiton nga vdekja e demokracisë, nga vdekja e ekonomisë, nga vdekja e opozitarizmit, nga ikja e opozitës prej detyrës së saj në Parlament, nga vdekja e atdheut, nga vdekja e shpresës sonë.
Ne si LDE jemi forca e re politike që nuk e pranon një Kryemimistër të tillë që e sheh detyrën e tij si biznes privat funeral.
Ndaj ne përsërisim dhe ripërsêrisim se demokracia shqiptare duhet të rithemelohet. Rithemelimi i demokracisë fillon me kthimin e detyrës së Kryeministrit në funksion e mbrojtje të publikut, atdheut, ekomomisë dhe shpresës sonë të përbashkët.
Sjellësi i fatkeqësive duhet të ikë, por edhe ne si Opozitë duhet të bashkojmë me dinjitet e integritet më të mirët.”



