Nga Leon Mirakaj/ Refleksione para një busti.

Analize Shkrime Te tjera

Pjetër Arbnori është një nga figurat emblemë të persekutimit komunist. I arrestuar i ri, bëri disa dekada burg në ato që ferri komunist kishte përgatitë për të e për shumë bashkëvuajtës të tij. Së bashku me Sami Dangllinë e të tjerë burra, kaluan më shumë se gjysmën e jetës në ato laboratorë tmerri të regjimit. Nuk e kam njohë e as më ka rënë rasti ta takoj ndonjëherë. Opinionin e krijuar për të e kam nga historia e treguar nga bashkëvuajtës të tij (miq të familjes sime ose të afërm të mi); nga një libër, të cilin ia pat dhuruar tim gjyshi në vizitën e parë që bëri këtu në Romë ku unë jetoj; e nga opinionet politike të shprehura si dhe nga aq sa Tv na lejonte të shihnim në drejtimin e seancave parlamentare që ai drejtonte.

Ideja që ai e të tjerë të persekutuar të regjimit bënin pjesë në drejtimin e Partisë Demokratike, ma bënte fillimisht të pranueshme atë si parti, brenda dyshimeve e mosbesimit tim. Ideja e përfaqësuesve të të persekutuarve në drejtim, më jepte njëfarë shprese se disa ide të djathta do të viheshin në zbatim e do të jepnin fryte, si për ish të persekutuarit, ashtu edhe për mbarëvajtjen e Shqipërisë së sapodalë nga komunizmi më gjakatar i planetit. Shumë shpejt pata zhgënjimet e para. Pjesëmarrja në të njëjtën parti me Pashkon, Rulin e të tjerë ma krisi idenë se diçka do mund të bëhej nga e djathta. Mbas disa lajmesh që më vinin, mora vesh se Arbnori ishte arrestuar, sepse kish dashtë të krijonte me disa shokë, një parti social-demokrate me një program krejt të majtë.

Fakti që mori guximin për të çuar përpara një ide të tillë në mes të regjimit më të tmerrshëm që kish parë ndonjëherë Shqipëria, i bën nder dhe e rreshton ndër demokratët e parë me të vërtetë desident (me vepra). Por ama, fakti që kish dashtë të bënte një parti të qendrës së majtë, politikisht ma largoi menjëherë nga preferencat e mia. Me kalimin e kohës m’u ravijëzua si një personazh pa ndonjë karizëm të veçantë (gjithmonë sipas asaj që shihja, dëgjoja e shpresoja të ishte). Libri ma shkuli edhe atë idenë e shkrimtarit të rëndësishëm. M’u duk mjaft i dobët. Politikisht ishte pjesë e “reformës se re agrare”, e cila u përsërit në Shqipëri nëpërmjet “ligjit 7501”.

Pra një arsye më shumë, – për mua si i djathtë, që besonte te zgjidhja e problemit të pronës si shtylla kryesore në shtetin e drejtuar nga një parti e djathtë, – për ta larguar nga preferencat e mia politike. Mos-hapja e dosjeve, ndihma e dobët për konsolidimin e një “qendre politike” ku ish të persekutuarit të kishin zë në krijimin e shtetit të ri, ashtu si edhe sjellja e mëvonshme në pritje se ç‘do t’i jepte shefi a partia, një vend si deputet apo ambasador, ma largoi përfundimisht nga rrezja e pëlqimit. Po t’i shtosh këtij mozaiku deklaratën “E djathta jemi na!”, që synonte të impononte si të djathtë një parti, e cila kryente reforma shkatërruese për të djathtën, dalim në përfundimin se ai tashmë ishte kthyer në një militant të verbër politik.

Ajo çfarë kujtoj prej tij si politikan, janë dy gjysmë batuta: e para justifikimi i një pasurie që i kontestohej nga socialistët ku mos gabohem tha: “m’u bafshin ilace për kalamajtë, nëse i kam përvetësu paret”; (unë sinqerisht nuk besoj se ato florinj t’i kishte marrë në mënyrë abuzive) si dhe, e dyta, një batutë, për mua krejt pa yndyrë e disfatiste nga një figurë, që duhet të ishte në ballë të luftës që e keqja të mos kthehej, kur pat thënë: “këta nuk janë socialista, por specialista”. Batutë me të pre krahët. Kur mora vesh se ishte larguar nga kjo botë, mendova se skena politike shqiptare kishte humbë një burrë të urtë, por që as nuk i prishi punë e as i ndreqi. Përkundrazi, e djathta ishte dëmtuar edhe më shumë, duke i shtuar panteonit të saj një tjetër figurë (si shumë të tjera të trazicionit) që me të nuk kishte kurrfarë lidhjeje. Figura e tij si disident i regjimit gjatë kohës së pushtetit komunist, është e do ngelet pa dyshim frymëzuese për këdo që do lirinë dhe mendimin e lirë.

Politika shqiptare e tranzicionit nuk fitoi e nuk humbi asgjë me pjesëmarrjen e tij në politikë. Komunistët, – që ai desh të luftonte përgjatë regjimit me idenë e tij të një pluralizmi e të një lirie shprehjeje e veprimi politik, – janë më të fortë se atëherë e më me pushtet, edhe për faj të mosveprimit e të apatisë politike të atij vetë. Ndoshta gaboj, por në një bilanc të përgjithshëm, Arbnori më del një burrë i ndershëm, një shkrimtar mediokër, e një politikan i dobët. Gjithsesi për shembullin që dha me disidencën e tij, meriton një vend në panteonin e burrave që deshën e luftuan për lirinë. Në Shqipërinë absurde të inflacionit të busteve me vend e pa vend, e për cilindo person, që ka hapur gojën në parlamentin tonë mjeran, busti i Arbnorit do ishte nga më të justifikuarit.

Por fakti që rri përkrah personazhesh anonimë ose të mbrapshtë të historisë sonë, si dhe droja se rrezikon, si shumë buste e monumente, të dhunohet (shembuj kemi plot), a më keq akoma, fakti qe lulet nën bustin e tije i vënë e ndoshta do vazhdojne ti vënë, disa liliput te politikes, te padenje te cilet ne kete moment janë të interesuar te ngren buste e të fshehin kulla, idea qe rezikon të ardhme jo fort të largët, ta prishin e t’i ndërtojnë një pallat sipër, më sëmbon shpirtin si ish-i persekutuar e si një djalë, që është rritur me shembujt e lirisë, të cilët ai e burra si ai, u ofruan disa brezave nga burgjet ku dergjeshin e ku patën me të vërtetë madhështinë e tyre si figura…(lm)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?