Zbulohet pakti, si u zgjodh Majlinda Bregu në postin drejtues
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu do të jetë për tre vite Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), një strukturë e cila është pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP).
Këshilli, i cili zëvendësoi në vitin 2008 Paktin e Stabilitetit për Europën Juglindore ka si objektiv “të promovojë bashkëpunimin dhe integrimin europian dhe euroatlantik në Europën juglindore” dhe aktiviteti i tij është i përqëndruar në 5 fusha prioritare: zhvillimi ekonomik e social; infrastruktura dhe energjia; drejtësia dhe çështjet e brendshme, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe formimi i kapitalit njerëzor e bashkëpunimi parlamentar.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit zgjidhet nga ministrat e Jashtëm të SEECP-it. Bregu e cila përfaqësoi kandidaturën e Shqipërisë, ishte në garë me politikanin malazez Igor Lukšić, i cili ka mbajtur për dy vjet postin e kryeministrit dhe më pas për katër vite atë të ministrit të Jashtëm të Malit të Zi.
Zgjedhja e Bregut ka ardhur dhe si rezultat i një kompromisi mes Tiranës dhe Podgoricës, pasi në përfundim të mandatit të saj më 2021, ajo do të zëvendësohet pikërisht nga Lukšić. Vendimi u mor të hënën gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të SEECP-it në Brdo pri Kranju, të Slovenisë.
Bregu bëhet shqiptarja e parë që merr një post të lartë në një organizatë ndërkombëtare, anëtarë të së cilës janë 45 shtete dhe organizata e institucione ndërkombëtare./ GSH/