Vritet nga e dashura aktori e prezantuesi i njohur turk, Vatan Sasmaz.
Një krim i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Stamboll të Turqisë ku mediat vendase bëjnë me dije se është qëlluar për vdekje një nga emrat më të njohur të botës së televizionit. Ngjarja ka ndodhur në hotelin “Conrad” me 5 yje në zemër të Stambollit.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur aktori e prezantuesi i njohur Vatan Sasmaz, aktor i dhjetëra roleve e prezantues i televizionit shtetëror “TRT”.
Mësohet se ai është vrarë pas shpine nga e dashura e tij, e cila e ka qëlluar disa herë me një armë të tipit pistoletë.
Pas vrasjes së të dashurit, ish-modelja Filiz Aker ka kryer vetëvrasje.
Aktori dhe prezantuesi 43-vjeçar ishte i martuar me Nurşen Kocayaş nga viti 2011 në vitin 2014, ndërsa që prej vitit 2015 ishte martuar me Yasemin Adali.
Autorja e krimit mësohet se ka qenë e dashura e aktorit.
Dyshohet se para krimit ata janë grindur me njëri-tjetrin e fill pas kësaj, kur aktori po largohej nga dhoma e hotelit, Aker ka marrë armën të cilën e mbante në çantë dhe ka qëlluar drejt tij duke e lënë të vdekur në vend. /360grade.al