Projekti i propozuar në Zvërnec: WSJ nxjerr në pah konfliktet, hetimin dhe faturën që i mbetet shtetit
Wall Street Journal ka zbritur në Shqipëri për investimin miliardësh të Jared Kushner, duke ndërtuar një reportazh që sjell konfliktet e shumta që ka provokuar ky projekt.
Përballë renderave 3D me superjahte, vila dhe resorte luksoze, gazetarët amerikanë vendosin banorët që pretendojnë pronat, protestat, ndërhyrjet në zonën e mbrojtur, hetimin e prokurorisë dhe, në Sazan, një faturë të majme që i kalon shtetit shqiptar.
Që në hyrje qëndrimi i WSJ është i qartë. Planet e Kushner dhe Ivanka Trump për të zhvilluar resortet luksoze, thotë WSJ, “po shkaktojnë zemërim”. Rrëfimi udhëton më pas në Zvërnec dhe Sazan, shqyrton dokumente gjyqësore dhe ballafaqon versionin e banorëve e ambientalistëve me përgjigjet e qeverisë Rama dhe grupit të Kushner.
Në Zvërnec, projekti parashikon hapësira për 350 superjahte, 600 shtëpi, 1,400 apartamente dhe një park ujor prej 80 mijë metrash katrorë. Por WSJ e zhvendos menjëherë kamerën nga luksi te problemet me pronën.
Familjet e zonës pretendojnë se pronat që kishin përfituar pas komunizmit përmes ligjit 7501 u kaluan pa pëlqimin e tyre dhe përfunduan në një transaksion mbi 100 milionë dollarë me një kompani të lidhur me Kushner. Banorët i shkruan vetë Kushner në vitin 2024 dhe përsëri në maj 2026, por thonë se nuk morën përgjigje.
Edhe më problematike paraqitet pjesa mjedisore. Zona është habitat i më shumë se 70 specieve të rrezikuara dhe mijëra flamingove. WSJ dokumenton një rrugë mbi dunat dhe një urë mbi kanalin që lidh lagunën me Adriatikun.
“Kjo është diçka shumë e keqe për natyrën, shumë e keqe”, thotë një prej ambientalistëve, ndërsa një tjetër përshkruan sedimentet dhe dherat që po bllokojnë qarkullimin e ujit.
Reportazhi ngre pikëpyetje edhe për kohën e ndërhyrjeve. Një dokument i cituar nga WSJ tregon se leja e punimeve ishte dhënë më 29 prill, por ende nuk ishte firmosur dhe kërkonte plotësimin e kushteve të tjera, ndërsa në terren kishte shenja ndërhyrjesh më të hershme. Prokurorët shqiptarë, sipas WSJ, kanë hapur hetim për katër akuza, përfshirë ndërtimin e paligjshëm.
Rama mohon se kishte nisur ndërtimi dhe i tha WSJ se bëhej fjalë për “punime të kufizuara paraprake”. Edhe grupi i Kushner mohoi punimet pa leje dhe deklaroi se projekti vazhdon të jetë në fazën e planifikimit.
Pastaj kamera kalon në Sazan, ku projektohet një resort tjetër 1.4 miliardë dollarësh. Përtej imazheve të vilave luksoze që janë planifikuar, qëndron trashëgimia e ish-bazës ushtarake: ish-ushtaraku Artur Meçollari flet për katër zona me rreth 120 tonë municione të pashpërthyera.
Dhe WSJ evidenton një detaj që ndryshon edhe historinë ekonomike të projektit: një ndryshim i marrëveshjes në vitin 2025 e kaloi barrën financiare të pastrimit të këtyre municioneve nga investitori te qeveria shqiptare.
Me pak fjalë, mënyra se si Wall Street Journal e koncepton reportazhin është ajo e një çështjeje problematikei mbi atë që ndodhet pas imazheve të marketingut: kush e zotëron tokën, çfarë është bërë në zonën e mbrojtur, kur kanë nisur ndërhyrjet dhe çfarë kostosh merr përsipër Shqipëria.
Video më poshtë:
