Aldor Nini prezanton në OKB moderatoren virtuale dhe modelin e monitorimit të sistemit të drejtësisë me AI
Në Konferencën për Inteligjencën Artificiale për vendet në zhvillim, e zhvilluar në selinë e OKB-së në Bangkok, CEO i Acromax, Aldor Nini, prezantoi moderatoren virtuale Akila dhe modelin e monitorimit të sistemit të drejtësisë me Inteligjencë Artificiale.
Në këtë kuadër u prezantua Akila, moderatorja virtuale e ndërtuar me teknologji të avancuara AI, e cila do të drejtojë një podcast informativ ku do të raportohen lajme dhe çështje me rëndësi publike. Podcasti do të publikohet në kanalin ArkivaShqip në YouTube. Sipas Ninit, një host virtual nuk mund të frikësohet, të ndikohet apo të intimidohet, duke garantuar një komunikim të qëndrueshëm dhe të pavarur.
Modeli parashikohet të jetë i aksesueshëm jo vetëm për institucione mbikëqyrëse, por edhe për persona të akuzuar nga sistemi i drejtësisë apo familjet e tyre, të cilët mund ta përdorin për të verifikuar nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe për të identifikuar shkelje të mundshme brenda sekondave.
“Inteligjenca Artificiale nuk duhet të zëvendësojë drejtësinë por ta bëjë atë më transparente,” theksoi Nini gjatë fjalës së tij.
Prezantimi në OKB e vendosi këtë qasje në kontekstin e debatit ndërkombëtar mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në forcimin e institucioneve dhe në rritjen e besimit publik, veçanërisht në vendet në zhvillim.
