Bashkia e Tiranës 783 milionë lekë subvencione pa kontroll për transportin publik në Tiranë
Bashkia e Tiranës ka rimbursuar 783.1 milionë lekë për operatorët e transportit urban gjatë periudhës 2023–2025, por pa një sistem të besueshëm dhe të dokumentuar për verifikimin e kilometrave të përshkuar nga autobusët.
Sipas raportit të auditimit të performancës për qarkullimin rrugor në Tiranë, rimbursimet për linjat urbane arritën në 193 milionë lekë në vitin 2023, u rritën në 282.1 milionë lekë në vitin 2024 dhe në 308 milionë lekë në vitin 2025.
Për të gjithë periudhën, shuma e paguar ishte 783,145,068 lekë.
Sipas të dhënave, llogaritja dhe konfirmimi i kilometrave të përshkuar është bërë nga operatorët ekonomikë, ndërsa Bashkia nuk ka realizuar një proces të pavarur dhe të vazhdueshëm verifikimi të të dhënave të sistemeve GPS.
Mungesa e kontrolleve krijon rrezik që kompanitë të raportojnë të dhëna të pasakta dhe të përfitojnë rimbursime për kilometra që nuk janë realizuar, thotë raporti.
Po kështu, sipas KLSH-së mungon vlerësimi i performancës së operatorëve. Komisioni përgjegjës për këtë proces nuk ka qenë funksional pas vitit 2021, megjithëse Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka raportuar çdo muaj shkeljet e konstatuara në linjat urbane.
Këto shkelje nuk janë përfshirë në pikëzimin e performancës së operatorëve dhe nuk janë shoqëruar me masa përkatëse nga komisioni.
Fondet për transportin publik u rritën, investimet mbetën pas
Paralelisht me mangësitë në kontrollin e pagesave, KLSH konstaston një kontrast mes rritjes së buxhetit të transportit publik dhe investimeve të realizuara për përmirësimin e shërbimit.
Në vitin 2025, shpenzimet e programit buxhetor të transportit publik arritën në 1.53 miliardë lekë, nga 431.9 milionë lekë në vitin 2024 dhe 324.8 milionë lekë në vitin 2023.
Realizimi i buxhetit u rrit nga 51% në vitin 2023 në 95% në vitin 2025, por nuk u shoqërua me të njëjtin përparim të investimeve.
Sipas auditimit, investimet përbënin vetëm 4% të shpenzimeve të programit në vitin 2025, ndërsa realizimi i tyre ishte rreth 2%. Pjesa dërrmuese e fondeve shkoi për subvencione dhe rimbursime, përfshirë mbështetjen për abonetë e studentëve dhe pensionistëve. KLSH thekson se rritja e buxhetit në vitin 2025 lidhet kryesisht me fillimin e subvencionimit të aboneve për pensionistët.
Raporti vlerëson se orientimi i shpenzimeve drejt mbulimit të kostove të transportit, i kombinuar me realizimin minimal të investimeve, krijon rrezik që fondet publike të mos sjellin përmirësime të prekshme në cilësinë e shërbimit dhe qarkullimin rrugor.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon që Bashkia të vendosë procedura të standardizuara kontrolli dhe të verifikojë lëvizjet e autobusëve në baza ditore, javore dhe mujore, përpara kryerjes së rimbursimeve./ ekofin.al

