Briken Calja rikthehet te medaljet në Çmimin e Madh të Katarit
Shqipëria e peshëngritjes ka mbyllur me një medalje të bronztë pjesëmarrjen e saj në Çmimin e Madh të Katarit, medalje që mban firmën e Briken Caljes. Ndërkohë kampioni tjetër i shtangës kuqezi, Erkand Qerimaj, ka shënuar rezultat më të lartë në dygarësh, duke u klasifikuar i katërti. Çmimi i Madh i Dohas është gjithashtu edhe kualifikues për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që e bën edhe më të rëndësishëm këtë aktivitet.
Por të dy shtangistët shqiptarë konkurruan në peshën 81 kg, e cila nuk është një peshë olimpike. Kujtojmë se Shqipëria e shtangës, si asnjëherë gjatë këtyre dekadave të fundit, aktualisht nuk ka asnjë sportist brenda normës olimpike, ndërsa shpreson që të sigurojë bileta për në Paris gjatë dy eventeve të radhës.
GARAT – Duke u rikthyer te gara e “Grand Prix 2” e zhvilluar të shtunën në Doha, Calja dhe Qerimaj konkurruan në Baterinë A të peshave 81 kg. Në stilin e shkëputjes, Briken Calja shkëlqeu, duke kaluar me sukses provën me 155 kg. Shtërmenasi ngriti fillimisht 142 në provën e parë, ndërsa në të dytën 155 kg, duke siguruar medaljen e bronzit, ndërkohë që nuk i fut për provën e tretë. Një rezultat i rëndësishëm për Caljen, i cili rikthehet te medaljet në evente prestigjioze ndërkombëtare pas rreth 2 vitesh.
Ndërkohë Erkand Qerimaj, nuk ia doli në provën e parë me 151 kg, për të kaluar me sukses provën e dytë me 153 kg. Shkodrani provoi në tentativën e tretë me 156 kg, por nuk e kaloi, duke e mbyllur kështu shkëputjen në vend të katërt me 153 kg. Më tej ishte radha e stilit të shtytjes, aty ku Qerimaj e filloi me këmbë të mbarë, duke ngritur 183 kg, por më pas nuk i kaloi dy provat e tjera me 188 kg, duke e mbyllur kështu shtytjen me 183 kg, për të siguruar një tjetër vend të katërt, ashtu sikurse edhe në dygarësh me 336 kg.
