Studimi: Prindërit që përdorin shpesh telefonin rrezikojnë zhvillimin e të folurit te fëmijët
Përdorimi i shpeshtë i telefonit celular nga prindërit, veçanërisht jashtë orarit të punës, mund të lidhet me zhvillimin më të ngadaltë të aftësive të të folurit te fëmijët parashkollorë. Në këtë përfundim kanë arritur studiues nga Portugalia, të cilët kanë analizuar ndikimin e zakoneve digjitale dhe marrëdhënieve familjare në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç.
Studimi përfshiu 93 familje dhe evidentoi se përdorimi i telefonit nga prindërit, ekspozimi i fëmijëve ndaj tabletëve gjatë natës dhe marrëdhëniet tepër të varura brenda familjes shoqërohen me rezultate më të ulëta në zhvillimin fonologjik. Studiuesit theksojnë se shpërqendrimi i prindërve nga pajisjet elektronike mund të pakësojë komunikimin e drejtpërdrejtë, lojën dhe ndërveprimin me fëmijët, elemente thelbësore për përvetësimin e gjuhës.
Ekspertët rekomandojnë që prindërit të kufizojnë përdorimin e pajisjeve digjitale gjatë kohës që kalojnë me fëmijët dhe të krijojnë më shumë hapësira për komunikim. Bisedat e përditshme, leximi i përrallave, këngët dhe lojërat ndihmojnë në pasurimin e fjalorit dhe zhvillimin e aftësive të të shprehurit. Megjithatë, studiuesit sqarojnë se rezultatet tregojnë një lidhje mes këtyre faktorëve dhe jo domosdoshmërisht një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkak-pasojë
