Zbulohet kutia me mijëra euro në dosjen e Ballukut
Sipas dokumenteve të publikuar nga Report TV, fotografia është dërguar përmes një mesazhi në mëngjesin e 17 korrikut 2021 nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i sanitares që punonte në banesën e Ballukut në Tiranë. Në imazh duket një kuti e kuqe, brenda së cilës ndodhen tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastik.

SPAK dyshon se fotografia është shkrepur në ambientet e vilës F6 në kompleksin “White Rocks”. Në dokumentacionin hetimor, kjo foto paraqitet si një tjetër element që prokurorët kanë marrë në shqyrtim gjatë hetimeve për pronësinë faktike të pronës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, komunikimet telefonike të shoferit të Ballukut, vartësve të saj, punonjësve të pastrimit dhe administratorëve të kompleksit përmbajnë referenca të vazhdueshme për godinën F6 si “vila e shefes”. Po ashtu, hetuesit kanë analizuar komunikimet dhe lëvizjet e personave që kujdeseshin për mirëmbajtjen dhe pastrimin e saj.
SPAK ka analizuar qindra komunikime dhe telefonata të periudhës 2018-2025, si dhe të dhënat e qelizave telefonike, për të dokumentuar përdorimin e vazhdueshëm të vilës nga ish-zëvendëskryeministrja. Sipas hetimit, Balluku e ka frekuentuar pronën që prej qershorit 2019 dhe të paktën deri në shkurt-mars 2026.
Vila dykatëshe, e tipit “Begonia”, ka një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë dhe ndodhet në një parcelë prej të paktën 300 metrash katrorë. SPAK e vlerëson aktualisht pronën me një vlerë prej 720 mijë eurosh.
Prokuroria e Posaçme pretendon se, pavarësisht regjistrimit formal në emër të Igli Tares, pronësia faktike i përket Belinda Ballukut. Vila është sekuestruar me vendim gjykate, ndërsa komunikimet, fotografitë dhe të dhënat e përdorimit të saj janë pjesë e provave të paraqitura nga SPAK në mbështetje të dyshimeve të tij.

