Kulture

Yuri Kim lexon Maya Angelou te Qendra Kombëtare e Librit

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka qenë e pranishme në një aktivitet kushtuar letërsisë afro-amerikane, në kuadër të #Shqipërialexon dhe #lexomemua në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Muaji shkurt është muaji i historisë afrikano-amerikane dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së nderon historinë dhe arritjet e afrikano-amerikanëve dhe feston kontributin e tyre në diplomacinë amerikane.

Përballë studentëve të Fakultetit të Letërsisë, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe disa autorëve të rinj shqiptarë, ambasadorja Kim ka zgjedhur të lexojë poezinë e Maya Angelou “Përsëri ngrihem”.

Poema, e cila është dhe një himn ndaj forcës dhe guximit për t’u ringritur në jetë pas çdo sfide, për të ecur përpara edhe më fuqishëm, është interpretuar nga ambasadorja si një nga poemat e saj të preferuara nga Angelou, një autore e rëndësishme e letërsisë amerikane. “Mund të gëzohesh se po më braktise/ Se nga dhimbja e gjitha po mpihem/Ti mendon se po më shkel me këmbë/ Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem”, disa nga vargjet e kësaj poeme.

 

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Letërsia gjithnjë ka shërbyer për të emancipuar dhe bërë më të bukur botën njerëzore. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka si mision të tregojë rëndësinë që ka libri në edukimin e një shoqërie, jetën e një vendi. Historia afro-amerikane është një histori frymëzimi në rrugën drejt lirisë. Autorja ime e preferuar është pjesë e kësaj letërsie, ajo është Toni Morrison dhe është kudo ku unë jam, në muret e shtëpisë sime, në zyrë, në mendime, dhe sot në bluzën time dhe të studentëve këtu”, tha drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Ambasadorja tregoi para të rinjve se është përpjekur të lexojë Lasgush Poradecin, dhe është e mahnitur me vargjet e tij.
Studentët lexuan vargje dhe pjesë nga autorë si Toni Morrison, Langston Hughes, Amanda Gordman, James Baldwin, Gwendolyn Brooks, Robert Hayden etj.

Poezia
Përsëri ngrihem

Maya Angelou

Mund të gëzohesh se po më braktis,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel me këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.

Te shqetëson kryelartësia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me nafte,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?

Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.

Dëshiroje të më shihje të thyer,
Me kokë të ulur e sy me lot,
Me supe varur si lule thare,
Grua e mjerë që një fjalë se thotë?

Mos të lëndon krenaria ime,
Mos ndoshta kujton se po lajthis,
Se qesh sikur kam miniera ari,

Atje prapa, në oborrin e shtëpisë?

Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund t’i plagosësh sytë e mi,
Mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
Por njësoj si era do ngrihem përsëri.

Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse të kapi papritur habia?
Se unë eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mia?

Nga kasollet e turpit të historisë
Unë ngrihem;
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujëvarë e lartë, e zezë, freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.

Duke lënë pas frikën e natës se gjatë
Unë ngrihem.
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem.
Duke bartur dhuntitë e të parëve të mi,
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem.
Ngrihem përsëri!
Përktheu: Rudi Pobrati

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?