Shpend Ahmeti dënoht me 2 vite burg dhe gjobë 5 mijë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë. Ai është dënuar me dy vite burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Përveç dënimit kryesor, Ahmeti është urdhëruar të paguajë edhe 100 euro për shpenzime gjyqësore dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Gjykata nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, me vlerë 172 mijë e 600 euro.
Në total, sipas akuzës, bëhej fjalë për 172 mijë e 600 euro fonde të padeklaruara.
Ahmeti akuzohej për veprën penale “Mosdeklarim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, përfitimeve të tjera materiale ose detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Në seancën e shpalljes së vendimit ishte i pranishëm vetëm avokati i tij mbrojtës, Arbër Istrefi.
