AktualitetPolitike

Kreu Legalist lëshon thirrjen: Bojkotoni koncertin 4 milion euro

KAON

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), Shpëtim Axhami, ka reaguar ashpër pas publikimit të vendimit për financimin me 400 milionë lekë (rreth 4 milionë euro) të organizimit të koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West (YE), i planifikuar të mbahet në Tiranë më 11 korrik.

Në një postim në rrjetet sociale, Axhami e cilëson të pajustifikueshëm përdorimin e parave të taksapaguesve për një koncert, ndërkohë që, sipas tij, vendi përballet me probleme të shumta në sektorë jetikë.

“Imazhi i turizmit dhe i Shqipërisë nuk përmirësohet duke shpenzuar 4 milionë euro nga taksat e qytetarëve për koncerte reperash, z. Kryeministër. Ai përmirësohet me investime në infrastrukturën turistike, në arsim, shëndetësi, kulturë dhe me mbështetje reale për qytetarët”, shkruan Axhami.

Kreu i PLL-së u bën thirrje qytetarëve që të mos e shohin koncertin si prioritet, por të reagojnë kundër, sipas tij, shpërdorimit të fondeve publike.

“Sot nuk është momenti për të marrë pjesë në koncerte të tilla. Sot është momenti që të bashkohemi në protestë dhe të ngremë zërin që taksat tona të mos shpërdorohen e vidhen, ndërsa problemet e përditshme të shqiptarëve mbeten pa zgjidhje”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, Axhami thekson se fondet publike duhet të përdoren në interes të qytetarëve dhe jo, sipas tij, për propagandë apo aktivitete që synojnë të largojnë vëmendjen nga problemet reale të vendit.

Reagimi vjen pasi u publikua dokumenti që parashikon financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të Kanye West në masën 400 milionë lekë, me argumentin se aktiviteti do të kontribuojë në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Shqipërisë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?