Kosova / Zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajsh
Qytetarët e Kosovës po votojnë sot për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen brenda një periudhe prej vetëm 16 muajsh.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 2.092.174 qytetarë. Procesi po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime të shpërndara në mbarë territorin e Kosovës. KQZ ka theksuar se këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel kombëtar që nga përfundimi i luftës.
Në garën elektorale marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje kandidon në koalicion me Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garojnë të vetme. Pjesë e kësaj gare është edhe Vjosa Osmani, e cila kryeson listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së, forcës politike ku ka qenë pjesë para se të merrte mandatin presidencial.
