Shehi: Rama mundet, por jo me këta njerëz
Dashamir Shehi kritikon opozitën: Me këta njerëz nuk fitohet ndaj Ramës
Ish-deputeti i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi se kryeministri Edi Rama mund të mposhtet në zgjedhje, por sipas tij kjo nuk mund të arrihet me përfaqësimin aktual të Partisë Demokratike.
I ftuar në RTSH, Shehi foli për gjendjen e opozitës, sistemin zgjedhor dhe nevojën për një alternativë të re politike që të fitojë besimin e qytetarëve.
“Edi Rama mundet në zgjedhje, por jo me këta njerëz që ka sot PD. Aleati ynë duhet të jetë populli shqiptar”, u shpreh ai.
Sipas Shehit, opozita duhet të fokusohet te ndërtimi i një platforme serioze dhe te kërkesa për një ligj elektoral që garanton mundësi të barabarta për të gjitha forcat politike.
“Ne duam një ligj elektoral që i jep shanse të barabarta të gjithëve. Opozita duhet të pretendojë dhe të marrë një pjesë të këtyre të drejtave zgjedhore. Nëse nuk e bën opozita, kjo tregon që nuk ka dëshirë reale për ta ndryshuar situatën”, tha Shehi.
Ai komentoi edhe deklaratat e kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ka deklaruar më herët se “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”.
Sipas Shehit, një retorikë e tillë demoralizon elektoratin opozitar dhe ul shpresën për ndryshim.
“Dëgjoj edhe Sali Berishën kur thotë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Kjo histori është dekurajuese për popullin opozitar, që të mos ketë shpresë kurrë”, deklaroi ai.
Më tej, Shehi theksoi se opozita duhet të hyjë në zgjedhje me një alternativë konkrete dhe me figura që krijojnë besim te qytetarët.
“Unë them që hyhet në zgjedhje edhe me Edi Ramën, nëse opozita ka një platformë të mirë dhe ka njerëz për të qenë. Jo këta njerëz që ka sot, por Edi Rama mundet, sepse aleati ynë duhet të jetë populli shqiptar”, përfundoi ai.
