A ja mban Ramës para Spiropalit?
Nga Boldnews.al
Paradoksalisht, Rama është në ato kushte sa me gjasë do i durojë me dhimbje dhe urrejtje kritikat e Spiropalit. Sigurisht asaj asnjëherë nuk do i jepet fjala në mbledhje të partisë, por i kërkohët që edhe të “qepë gojën me spango” në daljet publike, e madje edhe të “presë gishtat” për të mos prekur tastat e shkronjave në postimet në rrjetet sociale, e po ashtu të zbrazë mendjen dhe japë falas dinjitetin për të mirën e partisë.
Megjithatë, Rama është i detyruar të “kyçë gojën” dhe frenojë dorën për të hedhur firmën që zyrtarisht do përjashtonte Spiropalin nga partia. Arsyeja e parë që kryeministri do shkelë mbi fjalën e tij kërcënuese lidhet me atë që ish-ministrja di. Problemin që ka Rama është jo se çfarë ka thënë deri më tani Elisa Spiropali, por çfarë mund të thotë në të ardhmen, nëse ajo përjashtohet.
Inati, qoftë edhe personal, merr vlerë kur e keqja thuhet dhe ngrihet si problem publik, pa u marrë me çikërrimin se sa i/e keqe ishte dikur, ai, ajo, që ka pasur një pushtet goxha të madh. Një individ që ngre krye brenda sistemit, kundrejt kryekontrollorit të gjithçka, disa gjëra kompromentuese di, disa i ka mësuar, disa ende i ruan. Ato që ruan nuk i ka për t’i thenë publikisht, por duke i nisur me “postë të shpejtë” në shtetin që njihet për Kancelari. Ata që gjykojnë ftohtë dhe janë po aq të akullt në ultimatume.
Tashmë Spiropali regoi, jo shumë gjatë por kuptimplotë, për t’i dhënë vetes disa pikë të humbura me kohë, që në kohët kur ajo ishte ministre për Marrëdhënien me Parlamentin, Kryeparlamentare, e së fundmi deri dy muaj më parë, edhe Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ajo po thotë disa të vërteta, ndaj kritika se përse kur mbante poste këto të vërteta nuk i thonte, në këtë rast nuk vlen. “Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto”, shkruan Spiropali.
Qeverisja sot është në duart e një race hibrite në një ngjizje gjenetikisht të modifikuar deri në deformim njerëzor që në thelb nuk ka lidhje me traditën socialiste. Modeli i qeverisjes me drejtorë të korruptuar në çdo qelizë, ministra puthadorësh (që vetëm një dorë puthin) që mbajnë mbi shpinë afera të frikshme, krimi që është pjesë qeverisëse dhe oligarkia që bashkëdikton me majën e pushtetit modelin e deformuar ekonomik, janë disa të vërteta që dikush duhet t’i thotë.
