BKT-INSIG, betejë 15-vjeçare për vjedhjen 1 mln USD, kompania e sigurimit nuk pranon të paguajë dëmshpërblimin
Nga Boldnews.al
Në vitin 2010, Gentian Hoxha, një punojës i filialit të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në Vlorë, arriti të vidhte rreth 1 milionë dollarë amerikanë nga llogaritë e klientëve. Këto shuma, në bashkëpunim me një të afërmin e tij, Fatjon Hoxha, i investoi në pasuri të paluajtshme, derisa e gjithë historia u zbulua nga një Audit i Brendshëm i Bankës.
Dy autorët u kallëzuan nga BKT-ja. Në vitin 2013, Gjykata e Apelit dënoi përfundimisht Gentian Hoxhën me 10 vjet burgim për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash”, “falsifikim dokumentash” e “ndërhyrje në rrjete kompjuterike”, si dhe Fatjon Hoxhën me 3 vjet burgim për “pastrim parash”.
Sipas vendimit të Apelit, dy të pandehurit detyroheshin që të dëmshpërblenin bankën me të gjithë shumën e vjedhur, rreth 1 miliardë lekë të vjetra.

Paralelisht me procesin penal, Banka Kombëtare Tregtare nisi një proces civil me kompaninë e sigurime “INSIG” sha. Në mes dy entiteteve ishte nënshkruar një Marrëveshje Sigurimi, në të cilën përfshihej edhe parashikimi që “INSIG” sha do të dëmshpërblente bankën edhe në rast se ajo vidhej nga stafi i saj.

Por, Banka ka argumentuar se kompania e sigurimeve duhet të dëmshpërblente të gjithë shumën e vjedhur, pra 1 milionë dollar, sipas parashikimeve kontraktuale. “INSIG-u” nuk e pranoi këtë pretendim dhe, që prej atij momenti, nisi një betejë e gjatë gjyqësore mes tyre, e cila ende nuk ka përfunduar, edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vjet.
BKT-INSIG, beteja 1 mln USD
Në prill të vitit 2014, Gjykata e Tiranë ka vendosur pranim e padisë së BKT-së, duke detyruar “palën e paditur “INSIG” sha, të dëmshpërblejë palën paditëse “BKT” sha, në shumën 1.000.000 (një milion) U$D, detyrim i cili buron nga Polica e Sigurimit BBB 27.01.2010 me nr. 08/2010”.
Ky vendim është kundërshtuar nga kompania e Sigurimeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Sipas kompanisë së sigurimit, Banka e ka fituar të drejtën e dëmshpërblimit 1 milionë euro në procesin penal të dy autorëve të vjedhjes dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin civil edhe nga “INSIG” sha.
Argumentat e kompanisë së sigurimeve u pranuan nga Gjykata e Apelit, e cila rrëzoi vendimin e shkallës së parë, në dhjetor 2016.

Beteja ligjore vijon në Gjykatën e Lartë, ku Banka Kombëtare Tregtare bën rekurs kundër vendimit të Apelit.
Kolegji civil i Gjykatës së Lartë, me një vendim të marrë në dhomë këshillimi në nëntor 2024, vendos mospranimin e kërkesës së Bankës.

BKT vijon betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ku ankohet për shkelje të rënda proceduriale nga gjyqtarët e lartë.
Gjykata Kushtetuese, me një vendim të marrë njëzëri në 5 mars 2026, vendosi rikthimin e çështjes në Gjykatën e Lartë. Trupa 8-anëtarëshe e Kushtetueses ka vlerësuar se “Gjykata e Lartë ka cënuar të drejtën e aksesit në gjykatë”.
Vjedhja
Gentian Hoxha ishte punonjës i BKT-së, filiali Vlorë, në vitin 2010. Ai zhvilloi një skemë të hollë vjedhjeje nga llogaritë bankare të klientëve të ndryshëm.
Gentiani e ka sqaruar vetë mekanizimin e vjedhjes, sipas akteve hetimore që ka lexuar “Boldnews.al”.
I pandehuri Gentian Hoxha “ka dhënë shpjegime te detajuara ne lidhje me këta klientë, ai u ka çelur llogari bankare klientëve, iu ka plotësuar libreza të rregullta depozite bankare, duke shënuar edhe derdhjet, monedhën, afatin e depozitës dhe interesin e aplikueshëm, libreza të cilat ju janë vënë në dispozicion klientëve, por ndërkohë nuk ka kryer asnjë veprim në sistemin e bankës duke mos i investuar paratë në sistem dhe as i ka depozituar në arkë, duke i përvetësuar ato per vete. Në listat e mbajtura nga vete shtetasi Gentjan Hoxha ne kompjuterin e tij te punës, si dhe verifikimet e kryera dhe deklarimet e marra kësaj kategorie te klientëve janë evidentuar detyrimet e marra jo vetëm në shumë, por edhe si interesa të aplikueshme”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore të Prokurorisë së Vlorës.

Nga shpjegimet e të pandehurit Gentian Hoxha, si edhe të pandehurit tjetër, Fatjon Hoxha, “shumat e përfituara ne mënyrat e mësipërme (rreth 1 milionë dollarë), ata i kanë përdorur, duke investuar në disa veprimtari dhe se të gjitha paratë e vjedhura janë investuar me qëllim fshehjen dhe pastrimin e tyre në aktivitete, sende dhe investime, nëpërmjet shoqërisë “Adion” sh.p.k”.
Kjo shoqëri rezulton se ka nënshkruar kontrata sipërmarrje si investitor me subjektin “Bashkia Vlorë”, përfaqësuar nga Drejtori i Pallatit të Sportit z. R. D., si edhe ka lidhur disa kontrata nënqiraje me persona të ndryshëm.
