Instagram mund të ndryshojë rregullat
Meta po teston një funksion të ri që mund të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit ndajnë përmbajtje në Instagram. Kompania ka nisur testimin e lidhjeve të klikueshme në përshkrimet e postimeve, një mundësi që deri më tani ka qenë shumë e kufizuar në platformë.
Testi u vu re fillimisht nga blogerja Andrea Valeria, e cila publikoi pamje ku shfaqej një link nga platforma Substack që mund të klikohej drejtpërdrejt brenda përshkrimit të një postimi. Sipas saj, aplikacioni i lejon përdoruesit të ndajnë deri në 10 lidhje në muaj.
Prej vitesh, kufizimet për ndarjen e linkeve në Instagram kanë krijuar një industri të tërë shërbimesh “link in bio”, si Linktree, që ndihmojnë krijuesit të drejtojnë ndjekësit drejt faqeve të jashtme.
Nëse funksioni bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit, ai mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si krijuesit dhe bizneset komunikojnë me audiencën e tyre në platformë.
