Rindizet konflikti për aeroportin e Vlorës/ Delphos: Nuk ka fonde ruse tek kredia e Pacollit
Një shkrim nga portali kosovar Paparaci, i publikuar gjerësisht edhe në mediat shqiptare, ka rindezur konfliktin për Aeroportin e Vlorës. Në artikullin e publikuar një ditë më parë, Paparaci hedh dyshime se kredia e marrë nga Mabco e Behgjet Pacollit tek fondi Delphos është e lidhur me fonde që menaxhojnë borxhin rus.
Por pas këtij artikulli ka reguar menjëherë kompania Mabco. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, Mabco hedh poshtë akuzat për lidhje ruse duke shpërndarë edhe një reagim të Delphos, i kërkuar nga vetë kompania e Pacollit.
Fondi me bazë në Luksemburg ka mohuar që kredia të ketë burim nga shtetas rusë apo persona të lidhur me Rusinë duke shtuar se kredia është ekzekutuar dhe mbikqyrur nga Euroclear Bank dhe Clearstream Banking, dy sisteme evropiane të njohura ndërkombëtarisht dhe që janë subjekt i rregullave të rrepta të Bashkimit Europian.
Sipas Delphos, asnjë person ose entitet që i nënshtrohet sanksioneve të BE-së, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar ose Zvicrës nuk lejohet të mbajë llogari ose të kryejë transaksione përmes Euroclear dhe Clerastream, dhe të gjithë pjesëmarrësit kontrollohen vazhdimisht sipas listave të sanksioneve përkatëse.
“Prandaj, fondet e dhëna paraprakisht në kuadër të këtij instrumenti nuk burojnë nga dhe nuk janë në asnjë mënyrë të lidhura me Federatën Ruse, ndonjë entitet të kontrolluar nga Rusia, ose ndonjë person ose entitet që i nënshtrohet sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra ose ndonjë autoritet tjetër përkatës i sanksioneve, thotë Delphos në përgjigjen e shpërndarë nga Mabco.

Deklarata e Delphos e kerkuar nga Mabco
Fondi luksemburgas thotë se për arsye të kontratës nuk mund të bëjë publikë emrat e investitorëve që kanë dhënë fondet për kredinë, por siguron se ata nuk kanë asnjë lidhje me Rusinë.
“Për arsye konfidencialiteti kontraktual, ne nuk jemi në gjendje të zbulojmë identitetin e mbajtësve të Obligacioneve. Megjithatë, ne mund të konfirmojmë se blerësit e Obligacioneve ndodhen në Bashkimin Evropian dhe/ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thuhet në letrën e Delphos.
Nga ana tjetër vetë kompania Mabco pretendon se këto publikime janë të orkestruara me qëllim për të ndikuar procesin ligjor që po vazhdon për konfliktin e aksioneve.
“Sa më shumë afrojnë vendimmarrjet e radhës të gjykatave, përfshirë shqyrtimin në apel të çështjeve të iniciuara nga MABCO, aq më shumë shtohen përpjekjet për të ndërtuar narrativa të pabazuara që synojnë të ndikojnë perceptimin publik,” thotë Mabco në njoftim.
Paralelisht ajo ka përcjellë edhe një opinion të kërkuar po vetë nga kompania ndërkombëtare e auditimit BDO, ku kjo e fundit thotë se deri më tani Aeroporti i Vlorës nuk është pjesë e kredisë së Delphos, por pranon se mund të bëhet nëse shoqëria koncesionare firmos letrën e pranimit si huamarrës shtesë, ashtu siç parashikohet në kontratën e kredisë mes Delphos dhe Mabcos.
