Një reflektim mbi debatin shqiptar ndermjet Albatros Rexhes dhe Olsi Sazexhiut
Kombi mes gjakut dhe vullnetit, një reflektim mbi debatin shqiptar ndermjet Albatros Rexhes dhe Olsi Sazexhiut….
Në hapësirën publike shqiptare, debatet mbi identitetin kombëtar rikthehen herë pas here me intensitet të lartë emocional. Së fundmi, diskutime të tilla janë shoqëruar me deklarata që theksojnë përkatësinë “ndër breza” dhe madje “të provuar me gjak”, siç është artikuluar në mënyrë simbolike nga Albatros Rexhaj. Këto qëndrime, ndonëse të ngarkuara me ndjenjë dhe histori, hapin pyetje të thella mbi vetë kuptimin e kombit në botën moderne.
Në të njëjtën kohë, figura si Olsi Sazexhiu ku jam i mendimit se pergjegjesia me e madhe është e atyre qe i therrasin neper emisione, kanë nxitur polemika përmes qëndrimeve të tyre kritike ndaj narrativave dominuese kombëtare.
Reagimet ndaj tyre shpesh kanë qenë të forta, duke reflektuar një klimë ku debati kalon lehtë nga argumenti në etiketim.
Por çfarë është në të vërtetë kombi?
Filozofi francez Ernest Renan e përkufizonte kombin si një “plebishit të përditshëm” një zgjedhje e vazhdueshme për të jetuar bashkë.
Ndërsa Benedict Anderson e quante atë një “komunitet të imagjinuar”, ku lidhja mes individëve ndërtohet përmes gjuhës, historisë dhe përvojës së përbashkët, jo domosdoshmërisht përmes lidhjeve të gjakut.
Ky dallim bëhet thelbësor kur përballemi me tensionin midis “gjakut” dhe “zgjedhjes”. Një konceptim i ngushtë biologjik i kombit rrezikon të përjashtojë, ndërsa një konceptim qytetar e kulturor synon të përfshijë.
Ndersa nga ana tjeter islamomanit, antiarberorit Olsi Sazexhiu duhet t’i themi se nga ana juridike, shtetësia është një status i qartë ligjor një marrëdhënie mes individit dhe shtetit dhe nuk ka te beje me kombesine e kulluar te Albatrosit.
Kombësia, nga ana e saj përkundrazi, mbetet më fluide, një përzierje ndjenjash, historie dhe identiteti.
Ngatërrimi i këtyre dy koncepteve shpesh çon në keqkuptime dhe tensione të panevojshme.
Në këtë sfond, lind edhe pyetja: pse diskursi publik shpesh rrëshqet drejt përçarjes?
Një pjesë e përgjigjes qëndron tek politizimi i identitetit. Në kohë pasigurie, identiteti kombëtar bëhet një mjet mobilizimi, por edhe një armë përjashtimi. Kjo shoqërohet me një fenomen tjetër shqetësues, indiferencën e publikut. Shumë zgjedhin të heshtin, jo domosdoshmërisht nga pajtimi, por nga lodhja ose mosbesimi se debati mund të sjellë ndryshim real.
Megjithatë, historia shqiptare e ndërtuar mbi sakrifica të mëdha kërkon një qasje shumë më të matur.
Një “shtëpi e përbashkët” nuk mund të mbahet në këmbë vetëm mbi kujtesën e gjakut të derdhur, por mbi aftësinë për të jetuar së bashku në të tashmen.
Në fund, sfida mbetet, kjo a do ta kuptojmë kombin si një kufi që ndan, apo si një hapësirë që bashkon?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk është vetëm teorike. Ajo përcakton cilësinë e debatit tonë publik dhe, në fund, vetë kohezionin e shoqërisë shqiptare.
Gjithsesi pergjegjesi ne kete papergjegjshmeri kaq te madhe nuk kane sazexhinjte… por ata qe i japin kohe televizive per te na perçare…
Hysen Myzyri
Ndiqni videon:
