Çmimi i naftës është rritur sërish gjatë ditës së sotme edhe me 10-14 lekë për litër, duke arritur në disa pika në 210 deri në 214 lekë për litër
Çmimi i naftës është rritur sërish gjatë ditës së sotme edhe me 10-14 lekë për litër, duke arritur në disa pika në 210 deri në 214 lekë për litër.
Katari njoftoi se sulmet me raketa nga Irani kanë dëmtuar një objekt kyç për eksportin e gazit të lëngshëm (LNG). Ky veprim erdhi pas paralajmërimeve të Teheranit për të goditur objekte energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në përgjigje të bombardimeve izraelite ndaj një impianti përpunimi gazi në Iran.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent për dorëzim në maj u rrit me rreth 11%, duke arritur në 119.11 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (ËTI) u rrit me 3%, në 99.29 dollarë për fuçi.
Edhe çmimet e gazit u rritën ndjeshëm. Në Europë, çmimi në qendrën holandeze TTF u rrit me 24%, në 68.22 euro për megavat/orë, megjithëse më pas u zbut nga nivelet më të larta. Në SHBA, gazi natyror u rrit me 4.8%, në 3.21 dollarë për milion njësi termike britanike, ndërsa benzina për dorëzim në prill u rrit gjithashtu me 4.8%, duke arritur në 3.25 dollarë — niveli më i lartë në gati katër vite.
Reagimi ka qenë i shpejtë në tregun vendas. Nga 170-175 lekë që tregtohej një litër naftë në fund të shkurtit, çmimi është rritur disa herë, për të kërcyer në 210 lekë gjatë ditës së sotme.
Operatorët e tregut pohojnë se një nga arsyet e rritjes së shpejtë të çmimeve lidhet me faktin se taksat, pavarësisht kur është bërë blerja e mallit, paguhen në bazë të çmimit të Platts në ditën kur nxirret malli në treg. Shoqata e Hidrokarbureve thotë se arsyeja kryesore e çmimit të lartë lidhet me taksat që paguhen mbi naftën, që aktualisht janë mbi 100 lekë për litër, duke përbërë gjysmën e çmimit.
Shoqata ka kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit, që do ta ulte automatikisht çmimin me rreth 30 lekë për litër, por qeveria është shprehur kundër. /Monitor
