Shkallon Rama: Kush më del kundër e sakatoj
“Ka qenë një nga mbledhjet me haluçinante të kryesisë në të cilat kam asistuar ndonjëherë. Në gjendje të tillë Ramën se kisha parë që prej kohës kur Luli i vodhi ato dhjetë votat për bashkinë duke e detyruar të dilte nga zyra. Ishte i shqetësuar, bërtiste pa shkak dhe dukej hapur që nuk i kontrollonte dot emocionet”, tha për Lapsi.al një burim brenda mbledhjes që kërkoi të mbetej anonim.
Sipas të njëjtit burim, thëniet e të cilit i konfirmoi edhe një i dytë, Rama gjendej në një situatë absurde: nga njëra anë ai akuzonte anëtarët e kryesisë se gjërat që thuheshin në grupin e tyre të ngushtë i shiteshin portaleve dhe 700 tenxhereve mediatike dhe nga ana tjetër vijonte të përdorte atë gjuhë kërcënuese, duke e ditur se të gjitha këto rrezikonin sërish të bëheshin publike. “As ia vlen ta mbledh më kryesinë, askush nga ju nuk më hyn në punë, për më tepër që më nxirrni fjalët nëpër media”, mësohet ti ketë thënë Rama të pranishmëve, nga të cilët askush nuk pipëtinte.
Përpos Spiropalit në target u kthye edhe Blendi Klosi. Jo për besnikërinë, të cilën shefi s’ia vinte në dyshim, por për faktin se nuk po luante rrolin e sekretarit të përgjithshëm për ta bërë zap partinë: “Ti je kot, nuk je fare Sekretar i Përgjithshëm”, kanë qenë fjalët që i janë përplasur në fytyrë atij, reagimin e të cilit Rama e ka pritur më kot. “Aq i trullosur ishte sa kaloi edhe në gjëra personale- vijoi burimi – i cili tregoi se Rama ka përdorur edhe fatkeqësinë e një njeriu të tij shumë të afërm (një detaj personal që Lapsi.al nuk e pa të arsyeshme ta publikojë), për tu thënë të pranishmëve se pavarësisht asaj ai vinte e humbte kohë me anëtarët e kryesisë.
Taktika, instikti apo çoroditja e kanë bërë kreun e socialistëve që për të arritur qëllimin të përdorë teknikën e zhvlerësimit deri në përdhosje të njerëzve që kishte rreth tryezës. “Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni jeni prej meje….”, “Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh”, “Po të iki unë, PS shkon për lesh”, kanë qenë frazat që kanë dëgjuar me sy dhe vesh të çmerritur anëtarët e kryesisë.
Por ajo që lidhej drejtpërdrejt me votimin që do të mbahej sot ishte fjalia vrasëse: “Kush më del kundër do e sakatoj”.
“Askush nuk po kuptonte gjë. Të gjithë ishin të bindur se për votimin në mbrojtje të Ballukut nuk kishte asnjë problem dhe ai do të realizohej me një shumicë dërrmuese. Po kur dolëm disa prej nesh i bënin pyetje vetes, pse ai i donte të gjithë në rresht?… Dukej sikur nuk kishte hallin e votimit, po ti tregonte dikujt jashtë rradhëve tona mesazhin se ai qe hegjemon mbi këtë parti”, tha burimi i Lapsi.al.
Natyrisht, ashtu sikurse pritej, vetëm me dy tre mungesa, kërcënimet e Ramës e arritën qëllimin. Ai edhe njëherë tregoi se e kontrollon me dorë të hekurt grupin e vet palramentar.
Por e bukura është se ai e arriti këtë duke shantazhuar dhe nëpërkëmbur dinjitetin e atyre që do votonin. Pikërisht atë dinjitet të deputetit, për të cilin një ditë më pas u tha ndërkombëtarëve se me të nuk duhet të bëheshin eksperimente socio-politike./Lapsi.al
