VIDEO/ Barcelona shpëton në fund në fushën e Newcastle
Përballja e parë e fazës së 1/8 së finales së UEFA Champions League mes Newcastle United dhe Barcelonës përfundoi me barazimin 1-1, në një ndeshje dramatike që u vendos në minutat shtesë.
Rasti i parë i rrezikshëm erdhi në minutën e 27-të, kur William Osula goditi me kokë nga zona e vogël, por topi kaloi vetëm pak centimetra mbi traversë. Në pjesën e parë pati edhe një episod të diskutueshëm, kur vendasit kërkuan penallti për një ndërhyrje ndaj Anthony Elanga, por pas rishikimit me VAR gjyqtari vendosi të mos e akordojë.
Në pjesën e dytë, rastet u shtuan. Në minutën e 66-të, Robert Lewandowski provoi nga brenda zonës, por gjuajtja e tij shkoi pranë shtyllës së djathtë. Pak minuta më vonë, në minutën e 74-t, Harvey Barnes ishte shumë pranë golit, por goditja e tij u ndal nga shtylla e djathtë.
Megjithatë, goli i vendasve erdhi në minutën e 86-të. Pas një krosimi të Jacob Murphy, ishte pikërisht Barnes që përfitoi brenda zonës dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Fillimisht pati dyshime për pozicion jashtë loje, por pas kontrollit me VAR goli u konfirmua.
Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e anglezëve, drama erdhi në fund. Në minutën e 95-të, gjyqtari akordoi penallti për Barcelonën pas një ndërhyrjeje të Malick Thiaw ndaj Dani Olmo-s. Nga pika e bardhë në minutën e 96-të u tregua i saktë Lamine Yamal, i cili mposhti portierin Aaron Ramsdale dhe vulosi barazimin 1-1.
Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Barcelonë.
