Shembja në aksin Librazhd-Prrenjas, Rama: E shkaktoi shiu
Edi Rama ishte mesditën e kësaj të shtune në aksin e shembur Librazhd-Prrenjas, si pasojë e të cilit u izolua për 11 ditë e gjithë juglindja.
Nga aksi i shembur, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, Rama mohoi sërish që shembja të jetë shkaktuar si pasojë e punimeve për Korridorin VIII.
Edhe këtë herë ai ja ka hedhur fajin reshjeve, duke thënë se rruga u shemb si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe shirave të vazhdueshëm që shkaktuan sipas tij rrëshqitjen dhe jo nga gërryerja e shtratit të lumit.
“Tollovia që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim dhe perversitet i madh sepse këtu jemi në aksin e vjetër, aksi i ri nuk është ndërtuar ende. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik i ngarkuar nga shirat.
Kriminale në lidhje me publikun, por kur ka zhurma të mëdha duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për ta adresuar pastaj, ndryshe nuk të dëgjon njeri, është një plagë e kësaj natyre ku mjafton të vish ta shohësh dhe kupton ku je dhe se nuk ka dorë njeriu ta shkaktojë nga paaftësia”,- ka deklaruar Rama.
