Kush e kontrollon Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit?
PERSE DUHET KONTROLLUAR KRYETARI I KONTROLLIT TE LARTE TE SHTETIT…
Kur ju dhurua njëri nga postet më të rëndësishëm të shtetit, z.Arben Shehu ishte pothuajse anonim jashtë murit rrethues të Fakultetit Juridik. I njohur për asgjë, ai gdhiu befasisht në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas skualifikimit “për mosplotësim kriteresh” të dy kandidatëve që pararendën atë, çka u bë shak për hijet e dyshimit lidhur me “forcat” që qëndronin në mbështetje pas tij.
Në atë kohë, si duket për këtë arsye emërimi i tij shkaktoi zhurmë edhe brenda vetë Partisë Socialiste ku një grup kundërshtarësh reflektuan ashpër për përzgjedhjen e tij në postin e rëndësishëm. Por edhe jashtë PS. Burime të kohës nxorrën në pah se emërimi i tij ishte frut i një pakti tresh Rama – Basha – Meta.
Pra nuk ishte një kanditaturë e zgjedhur në menyrë kolegjiale prej aktorëve politikë por pasojë kulisash dhe biznesesh grosistësh. Siç ka ndodhur rëndom në të gjitha rastet kur drejtues të rëndësishëm institucionesh shtetërore kanë prejardhje të dyshimtë apo të konfirmuar kulisash politiko mafioze, edhe në rastin konkret ndodhi që ta pësonte institucioni perkatës. Ky fatalitet e ndoqi dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit sapo zbarkoi z. Shehu i cili siç vërtetojnë katërcipërisht faktet kokëforta që disponojmë, rezulton të jetë shkatërruesi i parë i misionit të KLSH, pavarësisë, integritetit, dhe besueshmërisë ndaj tij.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ushtron detyrën e vet më së pari nepërmjet shembulit dhe modelit të vet.
Por epoka “Shehu” solli përmbysje dhe tashmë në vend që ta zbulojë dhe ndëshkojë korrupsionin, ai është bërë një misionar ambulant i përhapjes së tij nëpër dikastere me veprimet apo mosveprimet e veta. Më poshtë do të pershkruajmë disa satnadrde të rendesishme të vetë KLSH-së, të cilat janë shkelur e përdhosur me gjakftohtësi prej z. Shehu.
1- Ka një mori dosjesh të përfunduara auditimi të cilat nuk publikohen për shkak se ato kanë përmbajtje të rrezikshme për subjektet e kontrolluara, subjekte të cilat nëpërmjet shefave, influencerëve gri apo qeveritarëve kanë bërë ndërhyrjet e duhura për izolimin e materialeve kompromentuese. Ky akt është në kundershtim flagrant me ligjin e KLSH-së, pasi cenon transparencën, koherencën e konstatimeve dhe le hapësira për manipulimin e shkeljeve nga subjektet.
Ndërkohë që e bën kryekontrollorin bashkëpunëtor në krimin ekonomik.
Përse i mban dosjet ne sirtar z. Shehu?
“Për të ushtruar shantazh kundrejt titullarëve të kapur, për t`ju vënë gjoba apo për të fshehur për hobi shkeljet dhe korrupsionin”?
Ndoshta mund të ketë dhe arsye të tjera, por sipas të gjitha gjasave përgjigjet e tyre do i japë në zyrat e SPAK-ut dhe bangën e të akuzuarve ku dhe të çon udha që ai ka zgjedhur.
2- Z. Shehu gjithashtu ka luajtur edhe me strategjinë e planifikimeve të kontrollit duke duke lënë jashtë planeve të auditimit institucione qendrore me peshë të lartë buxhetore dhe risk të lartë, përfshirë ministritë, projektet me financim të huaj etj., dhe duke shpenzuar forca pune, energji dhe kohë në institucione me risk të ulët financiar dhe bashki të kategorisë Këlcyrë, Klos, Bulqizë apo Maliq. Vlen të theksohet me këtë rast dhe diçka shumë interesante.
Nën vendimmarrjen e z. Shehu nuk janë ushtruar kontrollet e planifikuara të PPP-ve pavarësisht orientimeve të përsëritura e të qarta nga Kuvendi i Shqipërisë për shkak se tek PPP-te kemi angazhime shumë të rëndësishme të fondeve buxhetore apo thënë me thjesht, të parasë publike.
Keto, natyrshëm kanë sjellë dhe një rënie alarmante të performancës së institucionit në dobishmerinë e tij, tashmë të padukshme.
3- Mënyra apo rrethanat e kooptimit të z. Shehu në krye të institucionit kushtezojnë dhe sjelljen e tij si administrator osman ndaj stafit të audituesve. Ja menuja e ofruar nga z. Shehu:
– shpërfillje të kritereve të paracaktuara sipas pozicioneve të punës, rekrutime jo të përshtatshme për KLSH-në i detyruar për t`ju përgjigjur me qoka tutorëve;
– vlerësime periodike të manipuluara, të paligjshme dhe të pa argumentuara të përdorura si mjet presioni ndaj audituesve;
– ulje dhe ngritje në detyrë pa procedura ligjore;
– largime masive nga shërbimi civil dhe dorëheqje të shumta si pasojë e terrenit mbytës që ai vetë ka krijuar dhe terrorit prej xhandari që ushtron mbi personelin;
– shkatërrim të meritokracisë dhe destabilizim të kapaciteteve audituese.
Në vazhdën e ciklonit antiligjor që ka shkaktuar në institucion, z. Shehu në mënyrë arbitrare ka bërë herë pas here ndryshime strukturore të cilat sjellin destabilitet dhe inefikasitet në punën e institucionit. Ka suprimuar Drejtorinë e Marrëdhënieve me Nënkomisionin Parlamentar, në kundërshtim me kërkesat, orientimet dhe praktikat e ndërkombetarëve pasi bashkëpunimi me Parlamentin ishte një pengesë serioze për linjat personale dhe abuzive të komunikimit të tij.
Këto ishin disa pika në parim të cilat zbulojnë masakrën e kryer mbi Kontrollin e Shtetit nga vetë kryetari i tij. Falë investigimeve tona si media, kemi siguruar një material me fakte konkrete, ku vërtetohet jo thjesht lista e shkeljeve të cilat ne i cekëm në parim më lart.
Në vijim ne do të publikojmë fakte konkrete që nxjerrin në pah qartë e kuptueshëm korrupsionin brutal që ka mbërthyer kryetarin e Kontrollit te Lartë të Shtetit, i cili tenton të shtrijë tentakulat e tij dhe në institucione të tjera ku audituesit e KLSH-së kanë adresuar problematikat e tyre si: Komisioni për Shërbimin Civil; Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Komisioneri për të Drejtën e Informimit; Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive).
Nderkohë vleresojmë të bejmë me dije publikun se një grup joanonim audituesish kanë denoncuar z. Shehu në të gjitha organet kompetente (Presidencë; Kuvend; Prezenca e BE, Tiranë; NDI Albania dhe SIGMA).
I gjendur në një situatë thellësisht të dëshpërueshme paniku, ai ka nisur në mediat e paguara prej tij një sulm të paprecedent shpifjesh groteske ndaj audituesve “rebele”, gjë që do t`ia shtojë ndjeshëm shpenzimet e kohëve të fundit pasi audituesit kanë hapur një sërë padish në gjykata kundër z. Shehu dhe shërbëtorëve të tij.
Në ditët në vazhdim do publikojmë fakte konkrete për bëmat korruptive dhe vandalizmin mbi ligjet të z. Shehu.
Vijon…
/Sprint.al/
