Misioni faktmbledhës i PPE, në zyrën e Berishës
Misioni faktmbledhës i PPE/ Berisha: Ishin përfaqësues të 28 partive, temë qendrore ishin zgjedhjet dhe narkoshteti
Mision faktmbledhës i Partisë Popullore Europiane.
Ju e dini që janë dy rezoluta shumë të fuqishme për Shqipërinë, njëra është miratuar në Maltë në vitin 2024, tjetra është miratuar në prill të vitit 2025, për zgjedhjet në Shqipëri dhe ka qenë kërkesa jonë që të ketë një mision faktmbledhës për të parë në vend të gjitha zhvillimet.
U jemi shumë mirënjohës.
Kanë ardhur përfaqësues të 28 partive simotra në këtë mision.
Për ne është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Lidhur me bisedimet dhe të gjitha problematikat, këto takime funksionojnë mbi rregullin e konfidencialitetit, ndaj dhe unë nuk kam ndërmend të bëj publike bisedimet që u zhvilluan.
Natyrisht temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze.
E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente.
U paraqitën gjerësisht.
U diskutua për narkoshtetin, por këto që po ndodhin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto.
Por unë nuk mund të hyj në detaje dhe nuk kam ndërmend, për arsye sepse është rregulli Chatham House që duhet të zbatohet në këto raste.
Presim mbështetje të re nga PPE. Jam i shqetësuar për të sëmurët e izoluar pa mjekim në juglindje
*Elda Menga: Çfarë prisni nga ky mision z. Berisha në përfundim të gjithë punës së kryer në Tiranë?*
Sali Berisha: Nga ky mision i rëndësishëm presim një përpjekje të re të madhe.
Njëherë presim rekomandime, sepse këta vijnë për të na bërë rekomandime, ne jemi anëtarë.
Por ne presim njëkohësisht edhe një mbështetje të re për kërkesat tona tashmë të njohura që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, që shteti ligjor të funksionojë.
Pra, këto janë pretendimet tona, pa hyrë në detaje.
Natyrisht, vijnë në një kohë shumë kritike, kur Edi Rama faktikisht ose de facto asgjësuar sistemin e drejtësisë në kuptimin e akuzës për zyrtarët e lartë, gjë që është themelore në kuptimin e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që vjedhin qytetarët.
Edi Rama po mbron veten e tij, po paraqitet sikur po mbron Lubinë, e falënderon që pranoi refuzimin e dorëheqjes nga Rama, por ai ka faktuar me qëndrimet e tij të gjithë shqiptarëve, u ka faktuar të gjithë komunitetit ndërkombëtar se është një hajdut i paskrupullt dhe se është në përpëlitjet e fundit për të mbrojtur vjedhjet, plaçkitjet që ka bërë.
Nuk ka më asgjë që fsheh këtë dëm të tmerrshëm që ai i ka bërë Shqipërisë në këto vite.
Kjo që shihni ju me të gjitha rrugët e ndërtuara prej tyre të çara, të shkatërruara, është dëshmi e dështimit të plotë, total për shkak të vjedhjes të të gjitha investimeve.
Por meqë jam tek rrugët, unë kam shqetësimin më të madh për dhjetëra dhe qindra të sëmurë të zonës juglindore, të cilët anë procedurat e mjekimit në Tiranë se procedurat janë të centralizuara, dhe që sot mbeten pa mjekim pasi Edi Rama për vete udhëton me dy helikopterë në vend që të dërgojë helikopterët, të marrë çdo të sëmurë, t’i shtrojë këtu, t’i mbajë në hotel për kohën që nuk funksionon rruga dhe të garantojë mjekimin e tij.
Por ky nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë dhe është në njëfarë mënyre një krim i rëndë. Nuk janë pak, janë shumë të sëmurë që e kanë procedurën e mjekimit të sëmundjes së tyre në Tiranë. E kryejnë vetëm në Tiranë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE
