KPA rikthen në detyrë prokurorin Lazër Çardaku
Kolegji vendosi me shumicë votash prishjen e vendimmarrjes së KPK për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Lazër Çardaku, dhe e riktheu atë në detyrë.

Trupa gjyqësore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 8 nëntor 2024 për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia. Ndërkohë, Çardaku u vlerësua i besueshëm në kriterin e figurës dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.
Lazër Çardaku e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Pukës dhe në vitin 1999 u emërua si prokuror në Shkodër. Ai drejtoi Prokurorinë e Matit në vitet 2008–2012 dhe më pas e ushtroi funksionin edhe në Apel. Aktualisht e kryen detyrën pranë Prokurorisë së Tiranës.
