Aktualitet

Delina Ibrahimaj, ka miratuar dhënien me qira për vetëm 1 euro të një sipërfaqeje prej 52 mijë metrash katrorë

KAON
Një vendim i marrë në heshtje më 30 dhjetor 2025, në prag të festave të Vitit të Ri, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si menaxhohen pronat publike në Shqipëri. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka miratuar dhënien me qira për vetëm 1 euro të një sipërfaqeje prej 52 mijë metrash katrorë në Porto Romano, Durrës.
Bëhet fjalë për pasurinë shtetërore 1/10, ish-repart ushtarak dhe depo minash, e cila administrohej nga Ministria e Mbrojtjes. Ajo i është dhënë me qira shoqërisë “Adriatic Bay Investment Group” sh.p.k., për një periudhë 20-vjeçare, me të drejtë regjistrimi të kontratës në Kadastrën Shtetërore brenda një muaji nga nënshkrimi.
Sipas dokumenteve, prona do të përdoret për ndërtimin e magazinave dhe zhvillimi do të bëhet në dy faza. Faza e parë, që zgjat dy vite, parashikon një investim prej rreth 111 milionë lekësh në vit, ndërsa faza e dytë, që do të zgjasë tre vite, parashikon një investim prej rreth 36 milionë lekësh në vit. Në total, investimi i parashikuar arrin në rreth 331.6 milionë lekë të rinj.
Ajo që ngre dyshime është fakti se vendimi është marrë pa garë publike, ndërkohë që në një proces të hapur ndërkombëtar, shteti shqiptar mund të kishte përfituar shumëfish më tepër si nga qiraja, ashtu edhe nga niveli i investimit.
Prona ndodhet në një zonë strategjike, pranë projektit të Portit të ri të Durrësit në Porto Romano, një zonë që pritet të marrë një vlerë shumë të lartë ekonomike në vitet në vijim. Pikërisht për këtë arsye, dhënia e saj për 1 euro ka shkaktuar reagime dhe dyshime mbi interesin publik të këtij vendimi.
Në dokumentacion rezulton gjithashtu se prona ka shënime të veçanta në kartelë, përfshirë edhe të drejtën e parablerjes me vendim gjykate, çka shton më tej paqartësitë mbi statusin e saj ligjor.
Kritikët theksojnë se nuk është hera e parë që vendime të tilla merren në momente festive, kur vëmendja publike është e ulët, duke sjellë në kujtesë precedentë të mëparshëm si rasti i inceneratorëve.
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?